Eshtë interesante dhe njëkohësisht për të qeshur, me disa
shprehje të reja të fjalorit politik shqiptar, të cilat nga të panjohura, përqafohen
nga politikanët, gazetarët dhe pastaj nga të gjithë njerëzit, që “ushqehen” me
politkë dhe më pas treten dhe nuk përdoren më.
Nga fjalët shprehje të para, me të cilat u justifikuan edhe
shumë veprime barbare ndaj pronës së përbashkët ishte “eksodi”.
Askush nuk e kishte përmendur më parë dhe për shkak të
ndalimi të Biblës, 99% e popullsisë nuk ja dinte kuptimin. Eksodi u përdor për largimin në masë drejt Italisë dhe Greqisë dhe
përdorej vend e pavend, sidomos në fshatra, për të justifikuar dëmtimet në
stalla, shkolla dhe depo. “E bëri
eksodi!”
Në të njëjtën kohë, me fillimin e jetës parlamentare, nisi përdorimin
shprehja “ I dha dritën jeshile!’ Dukej që ishte një kopjim i shprehjeve të
huaja, se tek ne nuk kishte shumë makina, por mbi të gjitha as edhe një kokërr
semafori. Aq e përdorshme u bë si shprehje, sa në mjedise familjare edhe
adoleshentët nuk kërkonin më leje nga prindërit për të bërë diçka, por theshin
“do ma hapësh pak dritën jeshile”.
“Firmat piramidale” ishte
një tjetër shprehje origjinale e politikës shqiptare. Kudo në botë, dukuria
njihet si “skemë piramidale” apo “skema Ponci”, por përshtatja e jonë, vinte
nga një bashkim i shprehjes “ I kemi vënë
paratë në firmat”, (e kohës kur nuk dihej karakteri i tyre “mashtrues”) dhe
“piramidë“, kur paratë mbaruan dhe të
gjithë u shtypën nga piramidat.
I të njëjtës periudhe është shprehja më jetëgjatë e
tranzicionit (njëkohësisht edhe më iluzorja) “integrimi europian”. Mbi 70% e popullsisë nuk ja di kuptimin kësaj
shprehje, por e merr me mend, që është vendimtare për jetën e Shqipërisë, pasi
edhe një parti e shquar për hajdutllëk, quhet “Lëvizja Socialiste për
Integrim”. “Integrimi” ka marrë të njëjtën peshë si ishte dikur Komunizmi –
Faza e fundit e zhvillimit dhe lumturisë. “Sa
mirë do jemi kur të integrohemi!- del
nga gjokset e fshatarëve të zonave malore.
Vitet e fundit, sollën disa shprehje të panjohura më parë jo
vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, të cilat kanë dominuar fjalorin politik
shqiptar.
“Rilindja Urbane”
është shpikja e Ramës apo e dikujt pranë tij, e cila nënkupton një tualet të
qendrave të qyteteve. Në botën e urbanistikës njihen shprehjet “rinovimi urban”
(urban renewal) apo “rivitalizimi urban”(urban revival), por këto koncepte nuk
kanë të bëjë aspak me natyrën propagandistike të shprehjes së socialistëve.
Lidhen me shembjen e blloqeve apo të lagjeve të degraduara dhe zëvendësimin me
komplekse të reja dhe moderne.
Epokës së Ramës, po me autorë kundërshtarët e tij, i përket
shprehja “kanabizimi i vendit” e pa
hasur edhe në vende të tjera të dalluara për prodhim droge. “Kanabizimi” u gjet
si shprehja më e lartë e degjenerimit të shtetit, që ja kaloi edhe
“korrupsionit”, që ka mbërthyer prej më se 20vjetësh çdo qelizë të shoqërisë
shqiptare. Duke dashur t’ja rëndojnë negativizmin, disa opozitarë e përdorën
edhe si “kanibalizimi i vendi”, për të
rritur efektin në masat e gjëra. Duket nuk ju mjafton shprehja “shtet ose shoqëri e kalbëzuar”, që i përmbledh
të gjitha.
Një rreze të fuqishme shprese, solli para dy vjetësh
shprehja e panjohur “Vettingu”. Në
fillim u prit me një dozë dyshimi, si çdo e re që futet menjëherë në jetën tonë
socialisto-anadollake, por si u spjegua mirë nga ambasadorët, u përqafua nga të
gjithë duke u kërkuar të bëhet jo vetëm në Sistemin Juridik, por edhe në
politikë, polici, ushtri, media, arsim, shëndetsi dhe deri në familje. Kandidatëve
dhe kandidateve për fejesë ju kërkohet “vetting”
për moral, financa, qëndrim politik dhe dëshmi kriminaliteti. “Vettingu” është një lloj si në portat e
Parajsës, ku mund të kalosh ose jo në varësi të mëkateve.
Dy ditë më parë, për të mos e lënë pa pasuruar fjalorin
politik, doli në qarkullim shprehja “mosbindje
civile”. Ka shumë njerëz, që nuk e kanë shumë të qartë se për ç’lloj
“mosbindjeje” bëhet fjalë, sepse civilja tek ne më shumë lidhet me “gjendjen
civile”.
Gjithsesi, deri sa të dalë një shprehje më e fuqishme, më
shpresëndjellëse, më përcaktuese, shqiptarët e varfër , të cilët nuk i ze “vettingu” do jenë në dilemën:
“Të bëj apo mos bëj mosbindje
civile – kjo është çshtja!”
No comments:
Post a Comment