Thursday 26 April 2018

Ishin vitet e para të çlirimit një betejë për pushtet midis korçarëve dhe lebër-mallakastriotëve? (2)

(vijim)

Duhet theksuar se një pjesë e mirë e “kuadrove drejtues” të formacioneve partizane( dhe ata të ashtuquajturit “terren”) me origjinë nga Korça ishin qytetarë. Detyrimisht i kishin më të kufizuar elementët e “tribalizmit”, “krushqive”, “farefisnisë“, si i kishin “homologët e tyre të “Zonës së Parë Operative”. Lidhja me njëri tjetrin sipas fshatrave, krushqive, tek të funsit ishte një karakteristikë mbijetese e zhvilluar në breza , ndaj edhe pse mund të ishin anëtarësuar në Partinë Komuniste, ata ishin larg koncepteve kozmopolite dhe internacionaliste të ideologjisë komuniste.
Mehmet Shehu, Hysni Kapoja, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Manush Myftiu, Abaz Shehu dhe të tjerë si ta, kishin ngritur që herët në poste sojet dhe tarafet e tyre. Komunistëtë e vërtetë si Sadik Premtja, apo Petro Markoja ishin izoluar ose nuk i kishin afruar në Parti.
I gjithë aktiviteti i Partisë Komuniste në atë zonë është i pas dimrit 1941-42 dhe përfshin afrimin e lebërve trima (dhe hajdutë) në një lëvizje patriotike, me një inklinim komunist.
Kongresi i Përmetit duhet të ketë qënë ngjarja e parë në të cilën të dy “grupimet” duhet të kenë filluar hapur fërkimet për njohjen e meritave dhe si rrjedhojë edhe të posteve të ardhshme në një Shqipëri  pa të huaj. Qëndrimi në të ishte i qartë, që Zogut nuk do i lejohej rikthimi dhe forcat e tjera politike do liheshin pa ndonjë pjesë pushteti. Në muajt në vazhdim, duke marrë shkas edhe nga krimet e Mehmet Shehut në Dumre, si edhe ato të Shefqet Peçit në Shqipërinë e Mesme, krahu i Koçi Xoxes, ishte krahu dominues në Partinë Komuniste. Ndoshta i mbështetur edhe nga i dërguari jugosllav Velimir Stojniç, ky krah(për hir të së vërtetës më pak radikal) la në hije udhëheqësit e krahut tjetër dhe dobësoi shumë pozitat e Enver Hoxhës në krye të Luftës dhe të Qeverisë së Përkohshme. Në kritikët ndaj Enverit si dhe sektarëve të tjerë, ishin edhe intelektualët Sejfulla Malëshova dhe Nako Spiru.
Në parrullat gjysëm zyrtare të dhjetorit 1944 ishin “Kush e çliroi Shqipërinë?- Enver Hoxha me ushtri, Koçi Xoxe me parti”. Koçi Xoxeja vendosi thuajse në të gjitha postet me rëndësi në Parti dhe në Ministrinë e Brendshme ish-partizanë nga zona e Korçës. Nga komunistët e Labëri-Bregut në krye kishin mbetur vetëm Gogo Nushi dhe Bedri Spahiu.
Por edhe mes korçarëve, për postet më të rëndësishme ishin zgjedhur “proletarët” e Pazarit.
Koço Tashkoja dhe Koço Theodhosi mbetën me funksione të dorës së dytë, Ymer Dishnica u mënjanua pas Marëveshjes së Mukjes ndërsa shumë të tjerë ose vazhduan studimet në Bashkimin Sovjetik, ose u kënaqën me punë të vogla nëpunësi.
Këto vite janë edhe vitet më të errëta të historisë së Korçës dhe korçarëve. Për fatin e keq të Shqipërisë, “proletarët e Pazarit” ishin në krye të represionit ndaj Shqipërisë së Veriut, tregëtarëve të pasur dhe familjeve të mëdha të vendit. Me kapacitetin e kufizuar intelektual ata ndoqën pikë për pikë metodat e egra, që ndiqte Titoja dhe Rankoviçi në Jugosllavi. Krimet e Xoxes, Kërënxhit, Kolecit, Haznedarit, Themelit e të tjerëve ndaj klerit katolik, kundërshtarëve të regjimit në Veri dhe në Shqipërinë e Mesme ishin të llahtarshme. Ndoshta efekti psikologjik i luftës, i humbjes të shokëve dhe të afërmve i ktheu në kriminela Pecanët, Lakrorët, Markot dhe të tjerë emra të zonës së Korçës, që hyjnë në listën e persekutorëve më të mëdhenj komunistë. Do i quaja “proletarët e verbër katilë“.
A kishte përpjekje brenda udhëheqjes së Partisë Komuniste për ta ndalur atë terror?
Shumë pak ose aspak. Enver Hoxha ishte edhe ai ideatori dhe frymëzuesi i KoçI Xoxes, Bedri Spahiut dhe Josif Pashkos. Pas miratimit nga ana e tij e dënimit me vdekje të kunatit Bahri Omari, asgjë nuk mund ta ndalte prirjen e tij për të konsoliduar pushtetin me anën e terrorit.

(vijon)

No comments:

Post a Comment