Enver Hoxha manovroi me dinakërinë e një makiavelisti në këtë
përplasje grupesh me lidhje krahinore dhe farefisnore. Me kujdes, nuk i prishi
asnjëherë marëdhëniet me grupin e Koçit, që ishte favoriti i jugosllavëve, por
edhe me grupin e Shehëve, Kapove, Kondëve,
Klosëve, Myftinjve, të cilët rastësisht apo edhe për efekt tarafesh, po bënin
lidhje martesore me njëri tjetrin. Kështu, Hysni Kapoja ishte martuar me Vito
Kondin, i vëlllai i saj Piroja me të motrën e Arben Putos, ndërsa vajzën tjetër
të Putove e kishte marrë Manush Myftiu, Klosët ishin martuar me të afërt të
Fiqirete Sheut e kështu me rradhë.
Ndërkohë, që misionet amerikane dhe angleze ishin larguar
nga Shqipëria, ankesat e “komunistëve jugperëndimorë“ bëheshin në ambasadën
sovjetike, ndërsa “juglindorët” gëzonin përkrahjen e amsadës jugosllave dhe
emisarëve të tjerë të Titos, të pranishëm në qeveri.
Në këtë “zallahi” politike, viktimat ishin gjithnjë
intelektualët dhe jo vetëm ata, që nuk ishin përzjerë me politikë apo kishin qënë
kundërshtarë të komunistëve, por edhe vetë komunistët. Zai Fundo, Mustafa
Gjinishi, Sejfulla Malëshova, Petro Markoja, Pali Tërova, Anastas Plasari, Niko
Xoxi ishin disa prej komunistëve të të ekzekutuar pa gjyq, të arrestuar apo të
mënjanuar në muajt e fundit të luftës dhe viteve të para të pasluftës.
Sigurisht, jo të gjithë ishin ndëshkuar me porosi të drejtpërdrejtë të Enver
Hoxhës, por për pjesën më të madhe të tyre ishte marrë miratimi i tij.
“Profesori” i Liceut e dinte mirë, që mund të mbante në kontroll duke i përçarë
“proletarët” dhe “gjysmëopingësit”. Energjinë e tyre negative ziliqare mund ta
përdorte sa herë t’i duhej kundër atyre, të cilët i rrezikonin pushtetin.
Duhen vënë në dukje vështirësitë e qeverisjes në një vend të
shkatërruar ekonomikisht, me burime financaiare tepër të kursyera, sepse Lufta
e Dytë posa kishte përfunduar, por të gjitha grupet brenda Partisë Komuniste, që
ndoqën qorrazi udhëzimet e jugosllavëve, në raport me anglo-amerikanët vepruan
ndryshe nga Titoja. Duket frika, se në zgjedhje të lira, pas një legjislature
(e para ishte e sigurt, që fitohej prej tyre) edhe mund të humbisnin përballë
kundërshtarëve politikë, solli largimin e misioneve të Fuqive të Mëdha. Kjo gjë
nuk ndodhi në Jugosllavi. Fitimtarët e luftës duhet të kenë patur një kompleks
të thellë inferioriteti. Enver Hoxha, deri në moshën 35 vjeçare nuk kishte
arritur asgjë në jetë; zanatçinjtë e Pazarit të Korçës i trembeshin artit të
qeverisjes dhe komplekse të ngjashme duhej të kishin edhe lebërit,
kurveleshasit dhe mallakastriotët, që nuk kishin administruar më tepër se një
kope me dhi apo një ekonomi të vogël në qytezat e Vlorës, Gjirokastrës dhe
Fierit.
Ndaj të gjithë, si hap të parë të Rindërtimit të Vendit,
konsideruan goditjen dhe pastrimin e Klasave të përmbysura. Gërmadhave të Luftës ju shtuan edhe gërmadhat e
ekonomive private dhe atyre të administratës.
Mbështetja e jashtme vetëm nga rusët dhe jugosllavët, nuk
ishte në gjendje as ta rrjeshtonte Shqipërinë në krahun e fituesve të Luftës së
Dytë, gjë që do dihmonte në marrjen e një sasie të mirë dëmshpërblimesh lufte,
që mund të ndihmonte në “rinisjen” e ekonomisë vendase. Për kredi të huaja as
mund të bëhej fjalë. Një pushtet jo demokratik, që po sundonte me terror, ishte
e vështirë për tu legjitimuar nga të huajt e o më të përfitonte kredi nga
bankat e tyre.
“Grupi i korçarëve” dhe ai i “Zonës së parë Operative”
bashkoheshin në një pikë. Ashpërsinë për të goditur shqiptarët, që nuk kishin
qënë në një rrjesht me ta gjatë luftës (bile edhe ndaj një pjese, që kishin
patur në krah). Kryetari i Gjykatës Speciale, që dënonte lehtësisht me vdekje
dhe me burgome të gjata ishte Koçi Xoxe, ndërsa prokuror, Bedri Spahiu. Të dy
jo vetëm, që nuk ishin juristë, por nuk kishin arsim të mjaftueshëm as për të
qënë sekretarë gjyqi.
(vijon)
No comments:
Post a Comment