Saturday, 29 April 2017

Marshi i kokëpalarëve


Ne jemi kokë palarë,
Ne jemi kokëpalarë,
Jo se nuk duam,
Jo se nuk dimë,
Por se asgjë nuk kini lënë,
Se ju e xhveshët Shqipërinë!

Ne jemi kokëpalarë
Tani na mbetet veç protesta,
Sapun prej kohësh s’kemi parë,
Shampo s’shikojmë as për festa!

Ne jemi kokëpalarë,
Se vetëm morrat kemi miq,
Se parazitët e paparë,
Si ju, kanë gradë, titull, ofiq!

Ne jemi kokëpalarë,
Se rroga as për bukë na del,
Si ju milionat nuk kemi marë,
S’mbajm dot kollaro, parfum dhe xhel!

Ne jemi kokëpalarë,
Porse të ndotura s’i kemi trutë,
Nga xhep i tjetrit gjë s’kemi marë,
Askush s’na quan dot hajdutë!

Do vijë një ditë e do dridheni,
Do shihni ç’sytë nuk ju kanë parë,
Me njëri tjetrin prangash do lidheni

Nga ne me kokën e palarë!

No comments:

Post a Comment