Thursday, 6 April 2017

Marrëzia e ngjashme në çdo 21 vjet


21 vite më parë nuk e kisha shkuar në mendje të emigroja. Gjërat dukeshin se shkonin mirë në Shqipëri dhe mbi të gjitha njerëzit besonin se do bëhej me mirë. Sigurisht kishte edhe shumë të pakënaqur. Njerëz të hequr pa të drejtë nga puna dhe të lënë pa alternative të tjera, veç shitjes në pazar, apo shkëmbimit të valutës.
Disa muaj më parë se pranvera e 1996-ës, në një referendum (të fundit zgjedhje të pafalsifikuara në Shqipëri) edhe pse me një fushatë intensive, Sali Berisha kishte humbur mundësinë, të bëhej si Erdogani sot- një President i gjithëfuqishëm.
Nga sondazhet (por dhe informacionet në rrugë të tjera), dukej që PD-ja do humbiste pushtetin dhe Berishës do i duhej, që për një vit, të bashkëqeveriste me socialistët, deri në largimin edhe nga Presidenca dhe daljen në opozitë.
Nuk kam pasur asnjëherë besim, se Partia Socialiste i ishte larguar Partisë së Punës. Nuk mund t’i besoja Servet Pëllumbit, Gramoz Ruçit dhe Hajdaragës, por nuk më pëlqente as drejtimi autoritar i Berishës, që largonte me prapaskena njerzit nga paria e tij, njëlloj si kishte bërë Hoxha. Më tregonin, që militantë, nxirrnin nga salla e Bibliotekës së Korçës, përkrahësit e PD-së, që donin të dëgjonin Pashkon apo Selamin, dhe kjo më mjaftonte të bindesha, se askush nuk e pëlqente dialogun politik. Mbi të gjitha, shumë gjëra po bëheshin shtrembër dhe flitej hapur për korrupsion dhe bashkëpunim me bandat. Në një restorant jo të njohur, por në qendër të qytetit, kisha parë vetë duke drekuar deputetin Bahri Bregu, me kapon e një bande. Tete a tete!
E megjithatë, mendoja, se për Shqipërinë do ishte më mirë, që PD-ja të ishte edhe 4 vite të tjera në pushtet, por në kolaicion me të tjerë dhe me më pak vota, për të qeverisur në mënyrë më të balancuar.
Të djelën e 26 majit, shkova vonë pasdite për të votuar. Në qendrën e votimit kishte rradhë dhe u detyruam të prisnim pak. Papritur erdhën me vrull dy mjekë, militantë të PD-së, që gjithë entusiazëm serioz, njoftuan se PS-ja ishte larguar nga zgjedhjet dhe çdo gjë ishte gati e përfunduar, por votimet do vazhdonin. Mu dukën qesharakë në militantizmin e instruktorëve të komiteteve të partisë, me të cilët ishin tallur ata dhe unë, jo më larg se 7-8 vite më parë. Votova, kur më erdhi rradha dhe ika me pyetjen “Po tani çdo ndodhë?” Në daljen e shkollës, rrinin disa përfaqësues të partive të larguara, ku njoha Edmond Trakon, kandidatin për deputet të zonës, nga “Aleanca Demokratike”. Ju lexohej hutimi në fytyrë.
Në darkë, pasi dëgjova rezultatet u ndjeva i pambrojtur.
Nuk mund të mbrohem nga pushteti, kur nuk ka opozitë! Kjo ishte ndienja ime si qytetar edhe pse kisha votuar për Partinë fituese.
Më vonë ndodhën gjithë ato që ndodhën. Në një diskutim të ashpër me një shokun tim, dënova PS-në , që ishte larguar nga zgjedhjet. Ai këmbëngulte, që po mos iknin, do kishte pasur të vrarë, se bandat e PD-së do i vidhnin votat me çdo kusht, por ai argument për mua ishte i pavlerë. Nga votimet nuk mund të largohesh 7-8 orë pasi kanë nisur! Edhe sikur të jenë konstatuar manipulime të mëdha ose edhe të jenë bërë incidente. Ky është rregulli numur një i lojës politike në demokraci. Nëse ke kohë, që këtë e di, bojkoto zgjedhjet dhe ankohu në organizmat përkatëse.
Krerët e PS-së, e lanë vendin pa opozitë dhe lanë qytetarët e pambrojtur dhe viktima të një pushteti të pangopur, që inkurajoji në vazhdim, më tepër skemat piramidale.
Kjo ndodhi 21 vjet më parë dhe ishte preludi i vitit 1997.
Diçka e ngjashme, po ndodh edhe tani. Rrezikon të ndodhë i njëjti bllokim, që le jashtë loje opozitën dhe fut gjendjen e vendit në hulli të panjohura, që mund të shkallëzohen edhe deri në konfrontime.
Ata, që janë “djegur” më 1997, 1998 dhe në ngjarje të tjera të ngjashme, i kanë drejtuar sytë nga Perëndimi.
Ndërsa ata, të cilëve ju kemi ngarkuar përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, tregohen thellësisht të papërgjegjshëm.
Më se 40 ditë me akuza, sharrje dhe tallje ndaj njëri-tjetrit.
Thuajse e njëjta Marrëzi e 21 viteve më parë!

Perëndia vëntë dorë!

No comments:

Post a Comment