Thursday, 6 April 2017

Soneti i vjeshtës (Ch. B.)

Soneti i vjeshtës



Më pyesin sytë e tu, me vështrim të kthjellët:
“Për ty dashnor i çartur, kam ndonjë meritë?”
- Ji joshëse, e qetë! Kjo zemër pa dritë,
Veç me një drithmë kafshërore të errët,

Nuk do të zbulojë për ty të ferrit sekret,
Për ty, që me gishta lehtë më nanurit,
As të zezën legjendë, të shkruar në shpirt;
Pasioni më sëmur, urrej gjegjen e shpejtë!

Embël le të duhemi. Kupidi rri në pritë,
Harkun e tendosur, shigjetën e mprehtë,
Ja njoh mirë atë arsenal të fshehtë:

- Krimi, tmerri, marria! E zbehta margaritë!
O ky diell vjeshte, të dyve  s’na jep jetë

E bardhëza ime, e ftohta Margaritë?

No comments:

Post a Comment