Tuesday, 4 April 2017

I Pari dhe i Fundit!


Nuk mund të flas për të gjithë shokët e klasës sime, mbasi disa mund të kenë edhe të tjera mbresa të fëmijërisë shkollore, por për mua dhe shumë nga shokët e mij, Zhani është Mësuesi i Parë. 
I paharrueshmi!
E shikonim me admirim, që në vitet e fillores, se kishim dëgjuar aq shumë nga vëllezërit e motrat tona, që e kishin mësues. Një autoritet të jashtëzakonshëm edhe pse nuk e ngrinte zërin kurrë. Mësuesi i adhuruar, me një nam të mirë edhe më i respektuar se drejtori dhe çdo mësues tjetër i shkollës së Muzikës.
Zhani Pilika ishte trupa mësimore e shkollës së Muzikës!
Na mësonte të gjitha shkencat, me atë shkrimin e tij të qartë dhe me organizimin e shkëlqyer të dërrasës së zezë. E shikonim në gojë! Besonim në çdo gjë që na thoshte!
Kështu ju mbolli dashurinë për matematikën dhe fizikën, sa e sa nxënësve të shkollës sonë, që shkëlqyen edhe në shkencat po aq sa edhe në instrumentat muzikore.
Ne ishim një tufë çamarokësh, që patëm shkaktuar shumë probleme për mësuesit, ndaj për herë të parë, Zhanit nuk i dhanë në kujdestari klasën e tetë si gjithmonë, por klasën e gjashtë, tonën! Për të na “gdhendur”!
Dhe na “gdhendi” me dije dhe dashuri.
Na mësoi jo vetëm shifrat dhe figurat gjeometrike, jo vetëm marëdhëniet mes trupave qiellorë, por mbi të gjitha, të ishim të ndershëm e të përkushtuar ndaj të mirës.
Nuk lodhej duke na shëtitur vendeve të bukura të rrethit të Korçës, duke planifikuar dhe organizuar çdo gjë vetë.
I dashuri mësuesi jonë Zhani!
Ai që na qortonte me një vështrim të vetëm. Ku ndjehej pikëllimi i tij për çapkënllëqet tona të tepruara.
Në jetë patëm edhe shumë mësues të tjerë që na dhanë shumë.
Por ai mbeti më i shkëlqyeri mes të shkëlqyerve!
I dashuri mësuesi jonë. I pari dhe i Fundit!
Sa kemi dashur të të ngjasojmë, por nuk kemi mundur.
Ishe aq pranë Përsosmërisë!

E dimë ku ke shkuar tani!

No comments:

Post a Comment