Kreu i tetëmbëdhjetë
Ku tregohet për
largimin e papritur nga jeta të Veror Volorekës dhe ngjarjet gjatë ceremonisë
mortore.
Avokati Rako Pilafi lëshoi çantën e madhe mbi tryezë dhe i
shkeli syrin Naimit.
-
Kam lajme shumë të mira!
I burgosuri priste të dëgjonte lajmin e lirimit dhe i nguli
sytë buzëqeshjes së avokatit, që duke ulur tha:
- Ka vdekur mbrëmë Veror Voloreka.
Mjeku i zhgënjyer u mundua të lidhte vdekjen e papritur të
pronarit të hotelit me lejen e ndërtimit, arrestimin e tij, Gogo Gurgullimën,
bashkinë dhe policinë bashkiake, por asgjë inkurajuese nuk i vinte në mendje, as
nga lidhjet më të çmendura mes tyre.
Avokati qëndroi pa folur edhe disa sekonda duke shijuar
habitjen e klientit të tij dhe me rrokje të ndara mirë, duke ulur zërin, shtjelloi:
-
Nipi i Verorit është kryetari i këshillit bashkiak dhe
sot, në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit pritet që Veror Voloreka të
marrë titullin “Nderi i Bredhishtës”, në kllapa pas vdekjes dhe të shpallen tre
ditë zije lokale.
-
Po unë ç’hyj në nderin
e Bredhishtës, në kllapat pas vdekjes dhe në zinë lokale?-
foli më në fund i pezmatuar Naim Hana.
-
Ah Naim, Naim që s’ke durim!...Mbrëmë, në mesnatë, pasi
i ndjeri Veror kishte mbaruar, trashçgimtarët shkuan menjëherë në zyrën e
noterit Bekim Bakja dhe panë testamentin. Dëshira e fundit ka qënë të përcillet
për në banesën e fundit në një ceremoni tërësisht laike dhe nga më shumë se 20
mijë qytetarë, por Bredhishta e tërë ka vetëm 18 mijë shpirtra, me pleq e
plaka, të sëmurë e sakatë, kërthij dhe lyrekë. Për këtë Këshilli Bashkiak gjatë
ditëve të zisë lokale do lëshojë tërë të burgosurit të marrin pjesë në varrim.
Do vijnë edhe me autobuza nga qarqet e tjera. Një varrim madhështor për një
njeri madhështor.
-
Po si të mbarojë zija çdo
bëhet me mua?
Rako Pilafi u duk i papërgatitur për këtë pyetje, por nuk e
humbi toruan dhe vijoi me ligjërimin:
-
Kemi disa opsione. Opsioni i parë, është një takim i
drejtpërdrejtë me Fiko Fufulinën ku t’i shtjellojmë padrejtësitë e proçesit të
arrestimit dhe pendesën tënde…opsioni i dytë…është si opsioni i parë, por ku i
dërgojmë një letër Kryetarit dhe i shtjellojmë padrejtësitë e proçesit të
arrestimit dhe pendesën tënde; si edhe kemi opsionin e tretë, e nisjes menjëherë
me avion për në Shtetet e Bashkuara.
-
Po mua ma kanë marrë
pashaportën.
..........................
(vijon)
No comments:
Post a Comment