Ata thanë që i liruan laviret.
S’kishte pse të flinin me pagesë
Nuk duhej më të shisnin hiret
E errëta do lihej në harresë.
Në kthinat e vogla me gres shtruar,
Me shtrat, pasqyrë dhe bide,
Këngë e lavdisë kish’ për t’ushtuar
Vargjet plot pathos për jetën e re.
Një grup xhadish dhe eunukë,
Do mbidhnin t’vegjëlit përreth,
T’ju thoshin se më shumë se bukë,
Vlerë ka ideja që trupin ngjeth.
Dhe t’vocrrit e përdhunuar
Qafës rreth me të kuqe shenjë,
Cirreshin në qiell duke kënduar,
Se për atë çështje ishin të denjë.
Më dhimben sot fëmijët e bindur
Të ngjizur me të rremen shpresë;
Dhe unë i vogël duke klithur
“Xhipsi i Komitetit ndanë xhadesë…”
No comments:
Post a Comment