Kisha kohë, që nuk kisha gjetur nga këto “latinishtkat”, që më vijnë për shtat, ose më mirë shkojnë si tituj për ato që dua të them. Ajo që dua të them është se kam të drejtë të mos flas, por kam zgjedhur ta hedh poshtë këtë të drejtë të patjetërsueshme.
Në rastin e Blogut, e folura është e shkruar dhe si e tillë edhe më e rrezikshme, sepse mbetet dhe mund të shërbejë fare mirë si provë. Por në kundërshtim me këshillën e avokatit tim, si dhe në kundërshtim flagrant me ato të këshilltarit juridik të avokatit tim unë vazhdoj të shkruaj dhe dashur pa dashur të “akuzoj vetveten”. (Nuk më ndahet shprehja legjendare e Dhori Kotmilos “komandoj vetveten!)
Ka një mënyrë të shkruari, që të shpëton nga “akuzimi i vetvetes’ dhe çdo lloj implikimi moralo juridik. Të shkruash për kohën dhe sportin. Sigurisht edhe kur të shkruash për kohën, të shmangësh interpretimet filozofike, që mund të sjellin debate rreth Perëndisë apo mosekzistencës së saj. Edhe për sportin duhet të lesh mënjanë trukimet e ndeshjeve, kontrollin e ekipeve të mëdha nga korporatat si dhe korrupsionin e drejtuesve të federatave.
Por unë dua të shkruaj për gjërat, që kam parë dhe më kanë bërë përshtypje. Dua të shkruaj edhe për njerëzit. Për të bardhët e lëkurkuqtë, dembelët e pasunarët, të devotshmit e dallkaukët, për të mençurit dhe hileqarët. Di edhe , që ka një mënyrë tjetër për të shkruar dhe mos i shkaktosh shqetësime askujt dhe aq më pak vetes. Eshtë mënyra e komentimit të fotove të miqve në të ashtuquajturat “media shoqërore”. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i bërë jehonë idesë së një bote plot dashuri dhe paqe. “Dukeni si dy yje”; “Supermodele”; “Mbresëlënëse fisnikëria juaj”; “Ju duam shumë!” dhe sa e sa të tjera shprehje të stërprdorura, të cilat nuk arrin t’i dallosh se kur janë të ndjera dhe kur janë limonada.
Për arsye që nuk jm në gjendje t’i kuptoj, që mund të kenë lidhje me genet e mija, me raportin acido-bazik në trupin tim, me jetën nën Diktaturë apo me vuajtjet në emigracion, nuk jam në gjendje të shkruaj sipas mënyrës tejet paqësore "soshellmediore" më shumë se dy paragrafë.
Ndaj i kthehem mënyrës, që më shkon përshtat: të shkruaj atë që mendoj rreth jetës dhe njerëzve. Edhe nëse kjo mund të ulë në mënyrë të ndjeshme dashamirësit dhe do shtojë dashakeqët. Shumë njerëz e kanë të lehtë të flasin rreth shoqërisë dhe problemeve, që ka ajo, rreth njerëzve dhe natyrave të tyre tepër komplekse, rreth pabesive dhe prapaskenave, por e kanë të pamundur të shkruajnë sepse “Verba volant, scripta manent”. E kuptueshme. Jo të gjitha, që mund t’i themi në një bisedë mund të shkruhen, por një gjë është e domosdoshme: ajo që shkruan për dikë, të mos jetë e kundërta e asaj, që thua kur bisedohet pas krahëve të tij. Eshtë e ndërlikuar, por nëse kemi një raport të mirë me veten dhe me atë , që e quajmë e “vërteta ime” atëhere ndryshimi i të shkruarës me të thënën nuk do jetë 180 gradë. Disa ndryshime do ketë, sepse e shkruara synon të jetë më “politikisht korrekt” se sa e folura dhe njëkohësisht i drejtohet një auditori më të madh. E shkruara i nënshtrohet një procesi më të gjatë të menduari dhe si e tillë shmang më mirë ekseset apo gjendjet emocionale, që mund të jenë të pranishme gjatë një diskutimi të zjarrtë në kafene ose në një tjetër mjedis mes të njohurish.
(vijon)
No comments:
Post a Comment