Sunday, 2 April 2017

Qershitë e përmjera


Nuk jam i sigurt nëse “meseleja” e Nastradinit ishte me rrush apo me qershi, por meqë një shoku im në Itali, ju referua frutave të qershorit, edhe unë po e le të tillë.
Diçka po diskutonim rreth Mehdi Bushatit, dhe pa e vrarë shumë mendjen, unë i përmenda, që Mehdia(kështu i shquajnë emrat e burrave në Shkodër), nuk kishte qënë i zararit, se si jurist kishte punuar dhe më vonë në drejtimin e Bashkimit të Fiskulturistëve.
“Ka myt njerëz, se ka qënë shumë kohë në hetuesi” më tha dhe shtoi, “por tani po i bëjmë të gjithë si qershitë e Nastradinit …edhe kjo e papërmjerë…edhe kjo e papërmjerë…”
Nuk e zgjata, por i dhashë të drejtë.
Dukuria e “qershive të papërmjera” tek ne nuk ka kidhje me faljen kristiane. Edhe pjesa e jonë katolike, që në doktrinë e ka faljen, si një shtyllë kryesore të besimit, nuk e aplikon shpesh dhe ashtu si duhet dhe jo më ortodoksët, myslimanët, evangjelistët apo ateistët e shumtë shqiptarë.
Pak ka të bëjë edhe me harresën. Njerzit nuk harrojnë nëse xhaxhai apo tezja, ka marrë një pëllëmbë më shumë në tokën e gjyshit dhe për këtë lloj “drejtësie” mund ta shpien gjakun deri në gju!
Nuk ka të bëjë as me “bonizmin” e shprehur në fjalinë bajate “Unë shoh anët pozitive në çdo njeri”.
Ka të bëjë me raportet tona me pushtetin.
Një kriminel i veshur me pushtet, tashmë nuk është më një “kriminel”, por një burrë i zoti, edhe me karakter, por që për shka të sistemit, ka bërë edhe gabime, ndoshta edhe të tepruara.
Një karrierist, që pas krahëve, për të zënë një post të lartë, ka spiunuar shokët, nuk është më një “ndyrësirë“, por njeri i zellshëm, me objektiva të qarta për jetën, pra me një fjalë, një “burrë i zoti”.
Unë nuk jam për ndëshkime shëmbëllore. Sidomos për njerzit, që kanë ndenjur në heshtje, duke mos u ndjerë, pavarësisht në i vret apo jo ndërgjegja, për “poshtërsitë“ , që kanë bërë gjatë Diktaturës apo edhe në 25 vitet pas saj.
Por nuk do të ulesha kurrë të haja e të pija me Sali Berishën, Gramoz Ruçin, Koço Kokëdhimën, Ilir Metën, Spartak Brahon, Fatmir Xhafajn dhe gjithë skotën e tyre. Nuk kam në dorë, t’i heq nga postet që kanë, por kam në dorë që edhe nëse nuk i përbuz hapur, t’ju le të kuptojnë, që janë “qershi të përmjera”.

Në të kundërt, të gjithë fillojmë e marrim erë, prej të pëgërave të tyre.

No comments:

Post a Comment