
Nuk ka gje, që të shkakton më shumë dëshpërim se një rini e tillë. Nuk di nëse duhet ta quaj trushpëlarë apo të tredhur. Mbase i shkon më tepër dinako- eunuke.
Ne kemi qënë një rini “trushpëlarë“, por mund të justifikohemi se na kishin gënjyer prindrit, mësuesit, komisarët, shitësit, aktorët, deputetët e zonës, udhëheqëset e pionierit, shkrimtarët, veprimtarët e Frontit, sportistët e dalluar, kryeagronomët, telekronistët dhe Heronjtë e Punës Socialiste. Kur filluam të kuptonim ishim bërë me fëmijë dhe gratë në vend të fëmijëve kishin në bark një tufë me lepuj, një pjesë të të cilëve na i dhanë neve, meshkujve ish-trushpëlarë, por që tani nuk mund të gënjehemi dot kollaj.
Po në mendjet e këtyre të rinjve, që normalisht duhet të venë në dyshim çdo gjë që ju thonë më të rriturit, çfarë shkon?
Si mund të entusiazmohen nga fjalët e dikujt, të cilin e gjithë Shqipëria e di, që është hajdut?
Në gjithë Njerëzimin(të paktën në atë pjesë që ka shkolla), adoleshentët dhe të rinjtë janë të prirur të rebelohen dhe të ëndërrojnë të ndryshojnë botën për mirë.
Po këta nga vijnë? C’kërkojnë të bëhen në jetë? Modeli i tyre është Ilir Meta dhe banda e tij?
(Sa t’maroj juridikun ene po shikoj se mos hyj në ministri në drejtorinë e tenderave ene t’bojm noji lek? T’mar diplomn e mardhonieve nderkomtare ene si dihet si e sajojm anej nga Ministria e Jashtme po e mori LSI-ja?)
Këto janë ëndrrat e tyre?
Thua të gjithë të jenë bij të bindur, të baballarëve të tyre të korruptuar?
Duket e pamundur. Të tillët më parë kanë qënë me gishta.
Kujtoj një djalë të bindur, që kur ishte 10-12 vjet, I jati e dërgonte t’i shpinte mesazhe të dashurës dhe kur u rrit edhe ca e ndihmonte të fallsifikonin pashaporta. Po nuk ka pasur shumë të tillë.
A thua tani, etërit së bashku me gjithë shoqërinë, ju kanë shkatërruar shpirtrat gjithë këtyre të rinjve?
Nuk ka mandatë më të madhe për një vend!
Në mesin e viteve ’90, kur Greqia ishte në “bumin” ekonomik, tërë paraditen, të rinjtë ishin në kafene duke luajtur tavëll dhe mbrëmjeve në buzuqe. Ja ku është tani Greqia!
Por kjo e jona duket një gjëmë edhe më e madhe, se ata, që duhet të jenë në ballë të kundërshtimit të korrupsionit dhe të së keqes, ekzaltohen kur flet Ilir Meta, apo Ed Rama, apo Lul Basha!
Këta vetëm në moshë janë të rinj.
Në shpirt kanë marrë fund!
No comments:
Post a Comment