Saturday, 22 April 2017

Uljanovi i famshëm


147 vjet më parë, pikërisht në këtë datë, lindi Vladimir Iliç Uljanov, që të gjithë e njohin si Lenin.
Nuk jam i sigurt, nëse data e lindjes së tij ishte me kalendarin e vjetër, apo historianët sovjetikë ishin kujdesur, që ta kthenin me kalendarin e ri, se kështu do kishim ditlindjen e Iliçit jo në prill , por në maj, aty rreth 5 majit, që do sillte problemin e festimeve për Diktaturën dhe post-diktaturën.
Po le ta lemë më 22 prill, se përkon edhe me ditlindjen e një të njohuri, që emrin e pagëzimit nuk e ka Vladimir.
Po hap një parantezë, që emrin Vladimir unë e dija si emër komunist dhe jo si shenjt ortodoks, sepse të gjithë Vladimirët që kam njohur ishin kryesisht fëmijë komunistësh ose ish partizanësh. Dhe para se të hynte Partia, nuk besoj se kishte Vladimirë në Korçë. Ose ishin shumë shumë të rrallë. Pas çlirimit u shtuan aq shumë në gjithë Shqipërinë, sa mund të përdorim edhe atë shprehjen e rëndomtë korçare “u bënë 5 leka tufka”. Dhe asnjë prej tyre se prindrit pëlqenin Majakovskin, por se donin që djali tu rritej i mençur dhe i drejtë si Lenini.
Ne e adhuronim Iliçin.
Më shumë se çdo gjë në këtë kishte ndikuar gënjeshtra e madhe, që “Lenini kishte gënjyer vetëm një herë, kur kishte thyer një vazo të çmuar në shtëpinë e tetos”. Për ne fëmijët, që nuk denim se ç’isht Krishti, Lenini ishte qënia më e mbinatyrshme që kishte ekzistuar në faqen e dheut. Se kishte gënjyer vetënm njëherë. Ndjeheshim me turp kur krahasonim veten me të, se që në çerdhe kishim gënjyer kushedi sa herë dhe jo më në kopësht apo në fillore, periudha këto që të shuanim në gënjeshtra.
Më vonë e kuptuam, që ishte pak si shumë e ekzagjeruar kjo puna e gënjeshtrës, por përsëri nuk dinim se Lenini kishte qënë zuzar dhe bile edhe më i egër se Stalini.
Figurën e tij e kishim shumë të lidhur me lokomotivat. As me Lazër Filipin, me “Orët e Kremlinit” apo me elektrifikimin. Me lokomotivat dhe kasketën. Ky ishte Iliçi për ne. Bile një herë, në vitin e largët 1979, kur kalonim ngadalë me tren në Shkozet, ku ndodheshin të depozituara plot lokomotiva nga ato me avull, Beni (Kallamata) më tha në vesh “shiko kur ta nxjerrë kokën Lenini që atje”. Nuk ishte humor shumë disident, por ne u gajasëm një copë herë dhe kur kujtoj Shkozetin, mua më shkon mendja në Uljanovi.
Pas viteve ’60, emri Vladimir nuk ishte më në modë dhe emrat kinezë nuk ishin të përshtatshëm për meshkujt e lindur në familjet e lidhura ngushtë me Partinë.  E megjithatë, përsëri nuk e kuptoj, që edhe pse kishim 4 klasikë të marksizëm leninizmit, nuk viheshin emra Karl, Frederik dhe Josif, por vetëm Vladimir. Këto janë si ato legjendat urbane që vetëm Kastriot Myftaraj mund t’i deshifrojë. Bile në Labëri vinin edhe emra Uljanov.
Historia 100 vjeçare, që lidhet ngushtë me emrin e Leninit nuk është aspak për të qeshur.
Miliona e miliona u vranë nën shembullin e keq të dhënë nga Lenini majë lokomotivës.
Miliona e miliona të tjerë vuajtën urie dhe vuajnë ende, se prijësit e tyre ecin sipas mësimeve të Leninit.

Nuk di nëse Nostradamusi e kishte parashikuar, që Djalli do vinte një ditë, me paraqitjen e një njeriu të thjeshtë, me kasketë.

No comments:

Post a Comment