Saturday, 1 April 2017

1 prilli "fool's day".

Per 1 prillin me lejohet te shkruaj me shume budallalleqe se zakonisht, por genjeshter nuk eshte...


Pandi Këndeska ishte part-time në kinema?

 
Kujtimet e kinemasë nuk mund të ndahen nga kureshtja, frika dhe dëshira për të ngacmuar Pandi Këndeskën.
Papritur, ndërsa kujtoja lëvizjet e tij në qytet, nga kinemaja deri në agjensinë e autobuzave, më lindi pyetja budallaqe: “A ishte i punësuar tamam me rrogë Pandi, apo si i thonë sot, ishte part-time?”
Me karocën e tij, që nuk kishte shoqe të ngjashme në gjithë ndërmarjet socialiste të Korçës, Pandi shpinte dhe merrte kasetat e rrumbullakta të filmave, që vinin nga Tirana ose qytetet fqinjë, sipas një plani të përpiktë të koordinuar nga drejtoria e filmit në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Rrotat metalike rrakezhdraknin bulevardit me një zhurrmë, që të ngrinte nga gjumi i drekës. Zakonisht ajo ishte ora kur truplidhuri Pandi, me një pallto të gjatë, të ndonjë ushtrie pushtuese, dhe me këpucë me qafa, edhe pse ishte behar, shtynte karrocën e tij , e gjitha metal me një dysheme druri pa i rënë më qafë kujt, por në pritje të thirrjeve ngacmuese të çamarrokëve, por edhe të më të rriturve:
-Pandi Një!
-P… i satëme Dy!- përgjigjej duke kthyer kokën nga ata që i thërrisnin nga larg.
Atëhere fillonte shfaqja e zakonshme e çdo province në Mesdhe, e kohëve më të hershme, kur kalamajtë dhe të papunët, argëtohen duke ngacmuar fatkeqët, si për t’i dhënë zemër vetes, se nuk janë vetë në shkallët e fundit të shoqërisë.
-Kokoshi majë plehut- dëgjohej thirrja e një kalimtari nga trotuari tjetër.
Pandi i kthehej edhe atij duke i kujtuar të jëmën bashkë me organin e saj seksual, ndërsa eksitimi primitive, i fëmijëve, që donin të dëgjonin sharrje të ndyra nga të rriturit mes qytetit, arrinte kulmin. Ajo që e rriste eksitimin ishte frika se mund të bije në duart e Pandi Këndeskës. Ishin dy duar të mëdha, pak si babuce dhe të dukej se po të bije në ato panxha, nuk kishe për të shpëtuar lehtë pa u torturuar paq. Sigurisht, asnjërit nga ne nuk i bëhej vonë për nënat, që na shante mbarë e prapë punonjësi i kinemasë. Ashtu e kishim gjetur marëdhënien me Pandin, kur ishim 4-5 vjet dhe po ashtu e linim kur ktheheshim nga ushtria apo universiteti.
Nuk di nëse Pandi ishte vërtet i metë. Nuk kisha këmbyer kurrë ndonjë fjalë me të, si mund të kisha këmbyer me personazhe të tjerë tragji-komikë të qytetit. Kishte një fytyrë të egër, me tipare të theksuara dhe të vrazhda. Dukej se kishte një si hije afrikani në fytyrën e tij. Rrallë buzëqeshte. Punën e kryente me përpikmëri, nëse mund të quhet punë, që ka nevojë për përpikmëri, marrja e kasetave të filmave nga agjensia e autobuzave dhe shpënia në kinema. Gjithsej jo më shumë se 700-800 metra.
Duket, që personazhe të caktuara mund të ekzistojnë vetëm në kohë të caktuara. Për shembull Pedonalja nuk mund të pranonte Pandin me karrocën e tij, se rrakezhdraku do ishte i padurueshëm. Dhe Pedonalja do bëhej se s’kishte se si. Po t’ju kishte rënë ndërmend për të Myftar Grabockës ose Enver Halilit, atëhere do gjenin edhe një zgjidhje për karrocën e Pandit. Mbase do i vinin goma. Tani nuk ka nevojë se filmat janë dixhitalë. Mund t’i mbash edhe në xhep nëse je drejtor apo operator i emëruar nga Partia që ka rradhën në pushtet. Tani Pandi Këndeska nuk do punonte dot as part-time po të ishte gjallë. Mbase do e kishin nxjerrë në asistencë.

-Pandi Një! (Ose më mirë si thuhet tani “Pandi je Njësh…ose Bio!”

No comments:

Post a Comment