Thursday, 20 April 2017

Mmmmm…ky nuk është solidaritet!

Lexova shkrimin e Mero Bazes për rastin Peza dhe më erdhi keq. Jo për Meron dhe për Pezën, por për gjithë gazetarinë shqiptare (nëse pas gjithë atyre që shkruan Bazeja në shkrimin e tij, mund të quhet ende e tillë).
Moralizmi vërtet është i bezdishëm dhe nuk të shpie kërkund, por solidarizimi me mungesën e moralit është më tepër se i bezdishëm. Eshtë faj. Për më tepër, kur ju bëhet ftesë gjithë gazetarëve të solidarizohen në mbrojtje të Pezës, sepse të gjithë ose thuajse të gjithë kanë punuar “në të zezë“ dhe nuk kanë paguar taksa.
Nga sa duket nga shkrimi i Bazes, që është i mirëinformuar për problemet financiare që lidhen me median, ka dy probleme kryesore:
I pari, është , që botuesit e ardhur nga fusha të tjera, ose edhe me para të papastra, i kanë përdorur mediat për të ushtruar presion ndaj politikës dhe për të përfituar para publike nga tenderat, ose edhe “gjoba” në rrugë të tjera të tërthorta. Për të arritur këto “qëllime djallëzore” botuesit përdorin gazetarët, të cilët i paguajnë “cash”. Duket sikur në rrënjët e të keqes janë botuesit dhe gazetarët janë viktima, që duhet të “mbajnë shtëpinë me bukë“. Ndaj për këtë jo vetëm shkruajnë ato që ju kërkojnë botuesit, që nënkupton në rastin më të mirë, shkrime selektive dhe të qëllimshme dhe në rastin me të keq gënjeshtra!
Por vetëm 5-6 ose edhe më shumë botues nuk mund të krijojnë një klimë të tërë gënjeshtre, falsifikimi dhe të evazionit fiskal. Nisur edhe nga vetë historia e krijimit të mediave në periudhën e parë të pluralizmit, nuk ishin botuesit ata që e krijuan të vetëm këtë kulturë. U krijua bashkërisht me gazetarët kryesorë, një pjesë e të cilëve mbetën përfundimisht në këtë “batak” të krijuar nga ata vetë.
I dyti është problemi i pranimit të pagesës “në të zezë“ nga gazetarët. Baze këtë e trajton si të detyruar. Eshtë e kuptueshme, që një i ri, që posa është diplomuar, të pranojë të paguhet “cash”, ndoshta edhe të punojë falas, deri sa të mësojë “zanatin” dhe të afirmohet. Por është jashtë logjikës, që dikujt që paguhet mbi 5 mijë euro në muaj, t’i propozohet pagesë në “cash” dhe për më tepër ai ta pranojë. Nuk e kuptoj se si një punëdhënës nuk ka interes të deklarojë në taksat e tij rroga kaq të mëdha për të punësuarit. E megjithatë, edhe nëse për disa arsye të fshehta, jashtë logjikës ekonomike , kjo gjë ndodh, një gazetar, vlera në treg e të cilit është 5 mijë euro dhe më shumë në muaj, nuk mund të bëhet ortak në këtë vjedhje ndaj publikut.
Nëse bëhet është hajdut dhe nuk ka as të drejtë morale dhe as besueshmëri të kritikojë në shkrime politikanët apo biznesmenët për korrupsion, dallavera apo evasion fiskal.
Ndaj me “ktët e dinë të gjithë“, ose “këtë e bëjnë të gjithë“ nuk mund të mbrohet as Peza dhe as të tjerë të ngjashëm me të. Për më tepër nuk mund t’ju kërkohet solidarizim, gazetarëve që paguhen 400 euro në muaj dhe që shpesh rrinë me muaj të tërë pa u paguar.
Evazioni fiskal i gazetarit nuk është i njëjtë me atë të një pronari restoranti apo të një servisi makinash. Në momentin, që është bërë pjesë e pushtetit të katërt, sa më i njohur të jetë për publikun, aq më i madh është “faji moral”, i cili i mbivendoset “fajita penal”, për të cilin duhet të ndëshkohet çdo evazor.
Interesant është në shkrimin e gazetarit Baze, transferimi i përgjegjësisë tek Politika. Vërtet, që politka ka shumicën e gjynaheve në vendin tonë, por në këtë rast, duket, që përdoret si një objektiv për të shpërndarë përgjegjësinë. Në një vend ku të paguarit e taksave është problemi më i madh, ku shpesh gjërat zgjidhen duke u paguar nën dorë inspektorët e tatimeve, nuk mund t’i kërkohet hesap qeverive se përse nuk i dërguan inspektorët të punonin ndershmërisht në kontrollin e “rregjistrave” të mediave. Duke gjykuar pushtetin e tyre, çdo inspektor i thjeshtë dhe “i lyer” do kishte frikë të ngatërrohej me njerëzit e fuqishëm të mediave. Kjo ndodh vetëm atëhere, kur botuesi është shpallur armik i Kryeministrit, si i ka ndodhur në kurriz vetë Mero Bazes, kur u shpall armik i Berishës.
Solidarizimi është diçka që ndryshon shumë nga “omerta”.
Për më tepër ky kodi i heshtjes së gazetarëve për paudhësitë e njëri tjetrit nuk është edhe plotësisht i tillë. Kur njerëzit mburren kafeneve se sa e kanë rrogën; kur kanë dëshirë të demostrojnë pasurinë e tyre me makina apo vila të shtrenjta, detyrimisht që një ditë do përballen edhe me ligjin. Kritika ndaj tyre nuk ka të bëjë aspak me “populizmin”(që nuk hyn kërkund si dukuri në rastin e “dosjes Peza”).
Kjo që ndodhi me gazetarin Peza është në të mirë të gazetarisë.

Eshtë një mësim për gazetarët e rinj, që të luftojnë për paga të larta, të deklaruara dhe për më tepër integritet. 

No comments:

Post a Comment