Nëse për nisjen e “krizës” që po kalojnë institucionet e
shtetit shqiptar, mund të “akuzojmë“ PD-në dhe Bashën, problemi i vërtetë nuk
nis më 18 shkurt, por një javë pas tij, kur kreu i qeverisë, edhe pse shpallte,
që gjendja politike e vendit ishte e shëndetshme, nuk arrinte të dallonte krizën
dhe të merrte masa për ta kapërxyer, por me arrogancë dhe veprime të tjera
refraktare, u mundua ta përdorte si mjet për denigrimin e opozitës.
Kryeqeveritari jo vetëm u tregua me “nuhatje” të
pamjaftueshme politike, por edhe në mungesë të përgjegjshmërisë, që ka për të
qeverisur vendin sa më mirë. “Këmbora” e
pushtetit, që i është varur në qafë, nuk i është varur për të prerë shirita përurimesh
dhe për të bërë debate të kota
në Fejsbuk, por për të zgjidhur krizat e mundshme të vendit. Në përgjithësi,
“kokëfortësia” dhe “mospërfillja e tij”, të kujtonte atë të Berishës në muajt e
para të vitit 1997, kur për të mos u larguar nga pushteti, nuk pranoi as dorëheqjen
e qeverisë dhe asnjë lloj tjetër kompromisi, por zgjodhi t’i vinte zjarrin
vendit.
Në të njëjtën mënyrë, Rama dëshmon mungesën e formimit si një politikani modern, që sot mund të jetë në
pushtet dhe nesër jo, por mbetet në modelet e vjetra të mendësisë “të hyj në
histori”, që fillojnë me udhëheqësit e
Romës dhe përfundojnë me diktatorët e shekullit të XX-të.
Për të qënë të drejtë me të, të njëjtat shenja të “ankthit”
i shfaqin edhe Basha edhe Meta , i pari me frikën
e “vdekjes” si kryetar dhe i dyti me atë të “vdekjes” si politikan.
Nga raportet e të treve me njëri tjetrin gjatë këtyre 50 ditëve,
nga deklaratat shpesh kontradiktore, duken që të tre janë “paranojakë“ dhe
zgjidhjen politke, që nuk do jetë si ajo që kanë në kokën e ndjejnë si “vdekje”
të Shqipërisë. Ndaj edhe njerëzit kanë tëdrejtë të tremben, se nuk ndjejnë
“aromën” e “jetës dhe kompromisit”, por atë të “luftës dhe vdekjes”.
Atëhere ç’mund të bëjmë me “ankthin vdekëtar” të politikanëve
tanë kryesorë?
Ne si qytetarë të thjeshtë- Asgjë!
“Kultura e jetës” duhet zhvilluar brenda partive të tyre, ku
liderëve t’ju jetë bërë I qartë nga trusnia e brendshme, që Partia nuk lind e
vdes me ta. Brenda grupeve drejtuese duhet të ketë strategji alternative, për
situata të ndryshme politike, ku mund të lëshohet pe, mund të bëhen zëvendësime,
mund të hiqen edhe krerët për hir të kompromisit. Sepse “ larg qoftë“ edhe pse
të rinj, të gjithë mund të largohemi papritur nga jeta një ditë dhe ky nuk është
kiameti.
Ndaj “ankthi “ i vdekjes të individëve( që deri diku nuk është
i jashtëzakonshëm) nuk ka pse të ndikojë në fatet e vendit.
No comments:
Post a Comment