Tuesday, 25 April 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare (2)

(vijim)

Po përse duhet folur për njerëzit, ose për më tepër të shkruhet rreth tyre?
Pyetje vërtet e vështirë.
Ne jetojmë në një botë shumë komplekse, por për të mbetur në temën e këtij shkrimi, ne jetojmë në një botë të trefishtë.
E para, është ajo ku hyn gjithshka dhe që e quajmë Gjithësia ose Natyra. Rreth saj mund të shkruhet pafundësisht, sepse e tillë është dhe mund të shkruhet në mënyra nga më të ndryshmet. Mund të shkruash për gurgullimën e përrenjve dhe për për përkuljen e hapësirës, për kreshtat e maleve dhe limfën, që rrjedh kërcellit të një bime, për "dashurinë" mes pemëve dhe luftën mes grabitqarit e presë dhe pafundisht të tjera gjëra.
Bota e dytë është ajo e njerëzve, me ngjarje e ndërthurje nga më komplekset dhe më të paparashikueshmet, me kode, shenja, gjuhë, zakone dhe miliona karaktere njerëzish, që ende jetojnë ose kanë jetuar dhe lënë "gjurmë" në mënyra nga më të ndryshmet. Rreth saj mund të shkruajmë po pafundësisht, kuptohet për ato gjëra ç'ka njohim më mirë.
E treta është "universi" brenda nesh, që ndodhet brenda dy botëve të para dhe është i lidhur ngushtë me to, por gjithsesi ekziston edhe si një botë më vete, pasqyruese e dy të parave dhe që nëse "është përgjuar" mirë gjatë jetës dhe njohur mirë, mund të sjellë kryevepra të letërsisë dhe të psikologjisë. Pafundësisht të tilla.
Ndërsa në botën e dytë do kesh detyrimisht të bësh me njerëzit, në të tretën, njerëzit edhe pse të pranishëm, janë në funksion të psikikës të një njeriu të vetëm. Më tepër se objekte të shkrimit ata përbëjnë një lloj "garniture" të tij.
Të përqëndrohesh në të shkruarin rreth botës së dytë është jo vetëm çështje prirjeje. Eshtë më e lehtë. Në miliardat e faqeve të shkruara nga njerëzimi, (përfshi këtu edhe pllakat e qytetërimeve antike), pjesën dërmuese të tyre e përbëjnë ato rreth kësaj bote. Për të parën është shkruar shumë, por edhe në funksion të së dytës, ndërsa për të tretën, janë vetëm dy tre shekuj, që shkruhet rreth majave dhe humnerave të saj. Edhe po qe se do mundohemi të vemë faqet e shkruara rreth fesë në një botë tjetër, për shkak të mbinatyrshmërisë të subjektit, ato janë në shumicën e tyre të botës së dytë dhe vetëm të saj.
Për të "dalë nga të thellat" dhe për ta thjeshtëzuar dhe personalizuar shkrimin, po e ribëj pyetjen në - Përse shkruaj unë rreth njerëzve?
Njerëzit, jetët e tyre, marëdhëniet me njëri tjetrin janë edhe ngjarje, edhe ide, edhe dukuri. Si të tilla, të shkruash rreth tyre jo vetëm është më lehtë(sikundër përmenda më sipër), por edhe e dobishme. E dobishme në sensin e të kuptuarit më të mirë të gjërave, në përjetimin e emocioneve, në arritjen e përfundimeve, në përpjekjet për të përmirësuar veten, në dëshminë e së vërtetës.

Dikush mund të thotë, se "ç'farë dobie ka nëse shkruan për Pandi Këndeskën, për Gaqon e Mitit, për Ali Jasharin apo edhe për Fatmir Xhafajn?" 

(vijon) 

No comments:

Post a Comment