Sunday, 23 April 2017

Arkitekt Kolevica


Isha rritur duke dëgjuar gjthë nderim emrin e Petraqit, që në fëmijëri, kur nuk kuptoja se ç’ishte arkitektura. Im atë  kishte një vlerësim maksimal për aftësitë e tij si arkitekt. Shto këtu edhe animin e tij të dukshëm ndaj vlerave të profesionistëve korçarë, ato kohë isha i bindur, që ai ishte arkitekti më i mirë në Shqipëri. Për më tepër, gjithë jeta ime shkollore kaloi brenda mureve dhe dritareve të “Themistokli Gërmenjit”, vepër e tij, që më dukej(dhe ishte) shkolla e projektuar më mirë në gjithë vendin.
Në gjimnaz, nga fjalët e mësuesit të Vizatimit Teknik, Pandi Verdhës, kuptova që jo vetëm im atë fliste me superlative për Petraqin. Duke u afruar në rrethet e arkitekturës në Tiranë, mësova se ai ishte “legjendë“, jo vetëm për aftësitë, por edhe për integritetin e tij kulturor dhe qytetar.
Nuk e pata takuar kurrë në kohën e studimeve, sepse ai ishte në një nga periudhat e vështira, kur ishte lënë jashtë projektimit dhe thuajse kishte përfunduar i arrestuar.
E vetmja herë, që pata fatin ta takoja, ishte gjatë  1987-88, kur Diktatura kishte filluar të paraqiste një fytyrë më të zbutur, dhe Petraqin, bashkë me disa intelektualë të tjerë me origjinë korçare, e kishin thirrur për t’i marrë mendim se ku të vendosej Luftëtari Kombëtar.
Kolevica ndenji në fund të sallës së vogël të mbledhjeve të Komitetit të Partisë me Lekon(Papakozmanë) , Stavri Bezhanin dhe mua dhe refuzoi ftesën e Pali Miskës për t’ju afruar kreut të tavolinës. Pas një incidenti qesharak në fillim të mbledhjes mes Pali Miskës dhe Stavri Bezhanit (duhet të them, që Stavri është njohësi më i mirë, i historisë së urbanistikës dhe arkitekturës së Korçës, si dhe i çdo pëllëmbe të ndërtuar të saj), u ngrit i ndjeri Klement Kolaneci, që e filloi me fjalët” Kërkoj ndjesë, që si korçar nuk kam ardhur më shpesh për ndërtimet në Korçë“, që u pasuan nga fjalët nën zë të Kolevicës: “Shyqyr, që s’ke ardhur! Një fat për Korçën!”. Ne u munduam të mbanim të qeshurën, se ishim të vetmit, që dëgjuam fjalët nëpër dhëmbë të arkitektit, që adhuronim.
Pas disa folësve të tjerë, Pali Miska këmbënguli të fliste edhe Petraqi, i cili pa dëshirë tha disa fjalë rreth mënyrës se si duhen konceptuar shtatoret në një shesh me shumë qarkullim. Dukej sikur gati thoshte me nëntekst “Ju e kini vendosur këtë punë ndaj mos bëni sikur na merrni mendjen edhe neve!”
Më erdhën ndërmend këto kujtime, kur po ndryshohet destinacioni dhe projekti, i njërës nga veprat më të diskutuara dhe më avangardë të Petraq Kolevicës. Bibliotekës së Korçës.
Nuk di se sa kanë marrë mundimin, të kërkojnë një mendim të tij, drejtuesit e sotëm të pushtetit lokal në Korçë. Ndoshta edhe e kanë bërë. Mbase me të njëjtën mospërfillje, Petraqi ju ka dhënë miratimin me nëntekstin “Ju e kini vendosur tashmë!”
Në rast se nuk e kanë bërë, dëshmon edhe një herë, se të sotmit janë më arrogantë edhe se përfaqësuesit e Diktaturës. Ndodhi 15 vjet më parë me lyerjen e Pallatit prapa Bankës Kombëtare në Tiranë, projekti i parë i ndërtuar në Shqipëri, bazuar në parimet e Korbyzjesë të  arkitekturës moderne. Edi Rama e leu me ngjyrat e këmishave , që mban në plazh!
Tani e ka rradhën Biblioteka jonë!
Një foto e njërës nga fasadat anësore, duket se si “shtie me çiften e tij të prishur”, arkitekti Australian, që për ironi të fatit ka të njëjtin emër me arkitektit tonë të madh, por është shumë larg nga talenti dhe sidomos nga integriteti i tij profesional.
Unë do bija në gjunjë para arkitekt Kolevicës, kur të më duhej të ndërhyja në një vepër të tij.
“Kjo do ishte një zgjidhja jote personale!” do më përgjigjeshin plot arrogancë Niko Peleshi dhe Raqi Filoja, që ndjehen sot pronarë të qytetit.

Të qytetit, që nxorri njerëz të kalibrit të Petraq Kolevicës!

No comments:

Post a Comment