Ilir Meta u zgjodh president i Shqipërisë
dhe kjo nuk ka gjasë të sjellë asgjë të mirë. As zgjidhje të krizës, as
zgjedhje të ndershme dhe as stabilitetet ekonomik të vendit.
Vetëm
një gjë është e sigurt – Që çdo gjë është e pasigurt!
Forca ime parashikuese në politikë, është e
provuar herët, dhe është shumë pranë Zeros. Ndoshta jo pranë asaj absolutes.
Gjithsesi kjo nuk më pengon të përpiqem të
parashikoj të ardhmen politike të Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Më është bërë
si një herë e një kohë, zgjidhja e fjalëkryqeve. Kuptohet kjo është ku e ku më
e vështirë, se fjalëkryqet kishin një rregull të caktuar. Në politikë, sidomos
në këtë “të flamosurën” shqiptare nuk ka asnjë.
Në fushën e politikës, pas largimit të Metës,
ka vetëm dy lojtarë, Rama dhe Berisha.
Gjithashtu edhe 4-5 arbitra. Lu, Vlahutin,
Borhard dhe një gjerman i djathtë dhe një i majtë.
Tamam si në një ndeshje boksi, ku vetëm dy
kërleshen dhe një gjyqtar i ndan dhe shpall nokautin, por nëse ndeshja nuk ka
nokaut, pikët i vendosin katër gjyqtarët anësorë.
Berisha, me vendosjen e Metës president, ka
fituar një garanci, që nuk do shkojë në burg, bashkë me Zenin. E megjithatë,
nuk mund ta shpjerë as PD-në në zgjedhjet e 18 korrikut, se e di , që do
shpartallohet.
I mbetet vetëm një lëvizje, të mundohet të
fitojë sa më shumë kohë, me një fjalë të mbështetet pas litarëve e të mbrojë
kokën, si dikur Klei në Zaire, kundër Foremanit.
Shtyrja sa më e gjatë e zgjedhjeve duket
shansi më i mirë i tij. Ndaj edhe mbyllja e çadrës para 18 korrikut, ka pak të
ngjarë, nëse nuk arrihet marëveshje për qeveri teknike, ose nëse nuk ndodh
ndonjë “larg qoftë!” zallamahi në Tiranë ose në Kavajë.
Rama duket si një “frikaman i krekosur”, që
ka mbrojtjen e të huajve dhe mund të shajë e përshajë, por që ka pak forcë
psikologjike dhe mendore të orientohet në situata politike të komplikuara. Të
paktën hoqi qafe problemin Meta dhe tani prêt “ndërkombëtarët”, të detyrojnë
PD-në të hyjë në zgjedhje, pasi të marrin një lëshim, si heqja Mimit, Oltas ose
Ogertas dhe zëvendësimi me dy-tre femra teknike, por sigurisht pa personalitet.
Partinë e ka më të fortë se kurrë dhe më në
dorë se kurrë. Nga lista e deputetëve largoi jo vetëm të inkriminuarit, por
edhe ata , që kanë afësinë e të menduarit. I rrethuar nga besnikë pa tru( doemos
edhe pa bole), të fundmin problem të tij ka Berishën. Po qe se zgjedhjet do
zhvillohen më 18 qershor, mund të fitojë mbi 75 vota edhe vetëm si PS. Pas saj
e ka të qartë, që gjithë partitë miza do sullen pas “mjaltit” të PS-së dhe
sundimi 4 vjeçar është i sigurt. Mund ta lehtësojë pak dorën në përqindjet që
merr nga koncensionet dhe investimet e mëdha, por ka një siguri, që deri tani
paratë e fituara (me djersë) ka arritur t’i fshehë mirë. Dhe ka mësuar edhe një
gjë nga kjo kodoshe botë, që sa më shumë të nxjerrësh, aq më lehtë është t’i
fshehësh.
Nuk besoj se kam harruar ndonjë lojtar tjetër.
Oh Lul Basha!
Sikur përmenda një me mbiemër me B më lart.
Arbitrat. Këta është shumë e vështirë t’i
parashikosh. Kanë dhënë tërë jetën fitore me pikë të dyshimta.
Shqipëria ka qënë, është dhe do bëhet!
Eshtë vetëm çështje kohe (jo moti).
No comments:
Post a Comment