Thursday, 27 April 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare (3)

(vijim)

Vërtet nuk ka dobi, nëse shkruan për psikologjinë, sjelljet dhe karakteret e këtyre njerëzve të vërtetë, por është më e dobishme të ndërtosh personazhe të rreme tregimesh apo romanesh me cilësitë e tyre?
Kam bindjen, që çdo njeri, që kalon në këtë botë , që njohim, është dikush për të cilin ja vlen të shkruash e të tregosh. Të gjithë janë të ndryshëm edhe pse shumë mes tyre ngjasin. Ndoshta flitet e shkruhet më shumë rreth atyre, që konsiderohen më "të rëndësishëm", por mua më duket se mund të shkruhet më lehtë, jo vetëm rreth atyre, të cilët i njeh më mirë, por sidomos për ata, që të kanë lënë mbresa dhe i ke më të gjallë para syve, për t'i përshkruar.
Për tu rikthyer tek dobija e të shkrëuarit rreth katër të sipërpërmendurve, (gjithmonë po konsideroj të shkruarën e botuar, se ajo që mbetet në sirtare apo në ditare, është thjesht e shkruar vetjake), them që tek dy të parët(Pandi dhe Gaqoja), nuk është vetëm nostalgjija për kohët e shkuara dhe të ndriçuara mirë të fëmijërisë, që të shtyn. të rikujtosh mbresat, por edhe dëshira për të kuptuar më mirë shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Ishte vërtet një shoqëri e prapambetur, që bënte fëmijët dhe të rinjtë të dëshmonin mungesë simpatie dhe mëshire për të dobtit, apo ajo sjellje vinte nga izolimi dhe një formim materialist i tyre? Po e gjithë shoqëria "humane" e bazuar në parimin "një për të gjithë, të gjithë për një", si vepronte ndaj të metëve?
Eshtë universal, qëndrimi "superior" ndaj të metëve mendorë, apo edhe ndaj atyre me të meta fizike, apo varet nga shkalla e zhvillimit të shoqërisë? Po ç'shkonte në mendjen e Pandit, Peçi Bajamkës, Pandi Gjizës dhe të tjerë personazhe me prapambetje mendore, që njiheshin nga i gjithë qyteti?
Këto pyetje dhe shumë të tjera , që rrjedhin prej tyre mjaftojnë për të treguar, që nuk është kohë e humbur të shkruash edhe rreth këtyre njerëzve.
Gaqoja i Mitit është dikush, që e kam njohur më mirë, por gati i veçantë në karakterin e tij të çuditshëm dhe sidomos në evolimin nga një i ri i ndershëm, që merrej me tregëti, në një gati "filozof cinik shëtitës". Edhe pse hipokrizia e shoqërisë nën shtetit terrorist të Enver Hoxhës, ka luajtur rolin kryesor në transformimin e tij, përsëri është e vlefshme të "gërmosh" në shkaqet e tjera, jashtë shoqërore.
Dy të tjerët, Ali Jashari dhe Fatmir Xhafaj, janë njerëz, të cilët i njoh vetëm nga larg dhe interesi për të shkruar rreth tyre, qoftë edhe kalimthi, vjen nga fakti, që jo vetëm mbajnë vende të rëndësishme në jetën publike, por dhe përfaqësojnë një kategori të caktuar njerëzish të brezit tim. Kategorinë e karrieristëve, që për të ngjitur shkallët në pushtet, apo në qarqet akademike mund të përkulin trupin, shpirtin dhe mendjen në mënyra nga më të pështirat. Duhet thënë. që kjo kategori ekziston në gjithë sistemet shoqërore dhe për ta është shkruar në mënyrë gati shteruese nga gjigandët e letërsisë. Por nuk është kurrë e padobishme të tregohen me gisht, se edhe pse do jenë të pranishëm sot e mot, në çdo qoshe të botës, të tillët nuk duhet të lejohen të jenë tipikë në asnjë shoqëri dhe për më tepër të jenë model për të rinjtë.
Përsëri u largova nga tema, që përcakton maksima, që është titulli i këtij shkrimi.
Duke shkruar rreth njerëzve me erma të veçantç, sipas ekspertëve ligjorë, rrezikon të inkriminosh veten në ngjarje, ku ke qënë i pranishëm dhe përbëjnë krim, mund të jesh objekt i një procesi për shtrembërim të figurës, ose edhe thjesht mund të jesh viktimë e një hakmarrje të mundshme të subjekteve, rreth të cilëve shkruan.


(vijon)

No comments:

Post a Comment