Tani i quajnë “ujqërit e dëborës”, por nuk më bëhet t’i uroj
si ujq. Tradicionalisht kemi luajtur mirë në mbrojtje dhe pak ju kemi ngjarë
ujqërve apo demave, që janë kafshë “sulmueset”. Stili i lojës së “Skënderbeut”
(ashtu si karakteri i korçarëve) ka qënë konservator, i kujdesshëm, i organizuar
mirë dhe me një prapavijë të pakalueshme.
Gjatë 85 vjetëve të ekipit kombëtar shqiptar, i kemi dhënë 3
portierë të shkëlqyer (Klani Marjani, Koço Dinella dhe Jani Kaçi) disa mbrojtësa
(Teodor Vaso, Kristi Vangjeli) dhe thuajse asnjë sulmues titullar.
“Skënderbeu” i sotëm, edhe pse “i ndërkombëtarizuar” luajti
dhe u kualifikua duke qënë i organizuar dhe duke u mbrojtur mirë. Ju lumtë
djemve!.
Futbolli është sot jo vetëm sporti më “global”, por edhe ndër
bizneset më të “globalizuar. Në ekipe të qytezave të ballkanit, vijnë e luajnë
lojtarë nga Buenos-Aires dhe San Paolo, por edhe lojtarët shqiptarë, “degdisen”
deri në Azi. Për të mos përmendur “bastaxhinjtë“, që nga Makao dhe Ishujt Papu
dhe deri në Tokën e Zjarrtë, që mundohen të parashikojnë, se a do kualifikohet “Skënderbeu”
e Albenias apo “Dinamo” e Kroeshias. Eshtë thuajse e pabesueshme, se sa ndiqet
kjo lojë “magjike” në të gjithë botën.
(Meqë preka “plagën” e basteve dhe dënimin e “Skënderbeut”,
uroj që mos përsëritet ç’ka ndodhi para dy vjetësh dhe Takaj me stafin e tij të
kenë vënë mend.)
Qyteti ka të drejtë të jetë sonte dhe në ditët e ardhme në
festë!
Mbase ky kualifikim do ndihmojë edhe investimet për ta
kthyer stadiumin “Skënderbeu” plotësisht në standartet europiane dhe ndeshjet e
vitit të ardhshëm, të mos luhen më në Elbasan. Prania e ish-zëvendës
kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë në tribunë në krah të presidentit të “Skënderbeut”
të ngjall shpresën.
Jemi tani plotësisht në hartën europiane të futbollit. Nuk është
më rastësi. Kemi konkuruar edhe një herë tjetër në fazën e grupeve. Për më tepër,
këtë rradhë kemi luajtur në nivelin e klubeve mesatare europiane, në të cilat
do fusja të gjitha ekipet kampione të Europës Lindore dhe ata, që rrjeshtohen
pas vendit të katërt në kampionatet e Anglisë, Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë.
Jemi një qytet i vogël me një ekip të madh, që mban një emër
edhe më të madh!
Eshtpë kënaqësi e madhe, kur shikon në kanalet sportive të
Kanadasë, të transmetohen drejtpërdrejt ndeshjet e ekipit të qytetit tënd.
Ndoshta do e bëjnë edhe këtë rradhë. Do kemi diçka më shumë për tu krenuar!
Edhe njëherë ju lumtë djema!
No comments:
Post a Comment