Sot më ra në sy se kishte 999 postime, që përbëjnë një
mesatare prej rreth 150 postimeve në vit, të mjafta për të më kualifikuar si “grafoman”.
(Ka liçencë për grafoman? Kjo pyetje më shkoi ndërmend se një i njohuri im
shqiptar, pyet vazhdimisht për liçenact, për çdo lloj aktiviteti, që sheh si
turist në Kanada. Psh. Ka liçencë, ky që rrit kuajt?)
Diku, në postimet e para të këtij blogu, kam përmendur, që postimi
i mendimeve është një mënyrë e mirë për të zëvendësuar të folurit me vehte
trotuareve. Sa të bëhem qesharak në sytë e nordikëve të Amerikës, bëhem
qesharak në sytë e bashkëatdhetarëve dhe bashkëqytetarëve të mij. Në një mënyrë
a në një tjetër, të gjithë përqeshemi pas krahëve, ndaj blog-u është një mjet për
të thënë - Nuk më bëhet shumë vonë edhe nëse më qeshni!
Në kushtet e jetës në Shqipëri, këto postime do ishin pjesë
e bisedave me miqtë e mij më të mirë, me të cilët këmbejmë tallje dhe
fshikullime dhe njëkohësisht edhe mësojmë prej njëri tjetrit. Kjo gjë, këtu më
mungon së tepërmi. Për fatin tim të mirë, miqtë e vjetër, por edhe ata të rinj,
zgjodhën të mos komentonin në postimet e blogut, gjë që ma ka bërë të lehtë
vazhdimin e shënimeve në të. Në kulmin e fushatës së zgjedhjeve të fundit në
Shqipëri, dikush pa emër, që donte të më fyente komentoi disa herë, por kjo është
e natyrshme për dikë, që flet me vete në trotuar. Do dalë dikush të thërresë prapa
qoshkës “Ej hajvan, mllefist dhe i dështuar!”
Nuk di se cilat janë emrat më të përmendura në postimet e
mija, por dyshoj se do jenë Edi Rama, Kadareja dhe Niko Peleshi. E megjithatë,
në emrat që kërkohen nga ata, që lexojnë, renditjen e kryesojnë përsëri treshja
Rahim Ombashi, Koçi Xoxe dhe Eduard Zaloshnja.
Kombinim tepër i çuditshëm!
Idetë?
Ndoshta janë tepër të pakta idetë në postimet e mija.
Zakonisht rreth tyre shkruajnë njerëzit e mëdhenj…jo
grafomanët!
No comments:
Post a Comment