Kasëm Trebeshina ka lindur më 5 gusht. I vetmi shkrimtar i
famshëm i lindur më 5 gusht është Gi dë Mopasan. Gi ishte edhe morfinoman ndërsa
Trebeshina duket se është vetëm “addicted” për të vërtetën e jetës. Filozofinë,
kuptimin e saj, rolin e njeriut në të.
Të gjithë njerëzit, që mendojnë thellë mundohen të zbërthejnë
kuptimin e të pakuptueshmes. Lëçitin, gërmojnë, shikojnë yjet, meditojnë, dëgjojnë
të tjerët, kundërshtojnë të tjerët, shkruajnë, grisin ato që shkruajnë, ju
rikthehen prapë, i lexojnë me zë të lartë, i dërgojnë për botim, i lexojnë pas
botimit dhe pendohen dhe përsëri mendojnë.
Kasëm Trebeshina është një prej tyre. I shquar. I shquar
sepse mundohet të zbulojë ç’fshihet pas ngjarjeve, njerëzve, të gjithësishmes,
të veçantës dhe pasi e zbulon, ashtu, plotësisht të vërtetë apo edhe të rreme,
sikundër e ka gjetur dhe i ka pastruar pluhurin ja paraqit të tjerëve. Me art.
I shquar sepse nuk mendon se si do mendojnë të tjerët për atë
çka ka zbuluar dhe e quan të vërtetë të trishtë apo të bukur, të dhimshme apo
madhështore, vrasëse apo përkëdhelëse.
Në rast se do mundja të kapërceja në botën e të ikurve, do kërkoja
tim atë dhe do strukesha pranë tij e të dëdjoja se ç’kishte mësuar nga të
ikurit e tjerë. Nuk do tundohesha as nga Volteri, nga Dekarti, Erazmi apo Shën
Agustini. Do i dëgjoja prej tij të vërtetat që i kishin treguar pa asnjë lloj
ndryshimi. Të treguara bukur, qartë dhe me një vërtetësi të përkorë.
Në rast se do vizitoja shumë shpejt Tiranën, do kërkoja të dëgjoja
për pak të vërtetat e kohës sonë në vendin tonë prej Trebeshinës. Nëse do
kishte kohë dhe dëshirë të tregonte.
Kam lexuar ato , të cilat më kanë rënë në dorë prej tij. Nuk
janë shumë. Janë shumë pak dhe jo të mjafta për të kuptuar se ku qëndron midis
të mençurve, që zbulojnë të vërtetat e fshehura. Ndoshta është lart. Ndoshta është
edhe në një lartësi që e bën të prekshëm.
Por dikush, që shkruan, është e rëndësishme të besohet nga
lexuesi. Në të kundërt as mund të hyet brenda artit të tij. Dhe arti, sado i gënjeshtërt,
që mund të duket, kur të vërtetat I ka të ndjera, të thella, të stërmenduara, të
stërholluara me finesë, të lëna të palatuara, të baltosura bukur, i përket së Vërtetës.
Ndaj edhe kur nuk mrekullohem nga fraza të Kasëmit në librat
e tij dhe me mendje them se mund të ishin shkruar ndryshe, përsëri i përulem përpjekjes
së tij. Përpjekjes së vërtetë të tij. Dhe jo me të gjithë ata, që shkruajnë mirë
më ndodh kjo.
Edhe pse pak i kam lexuar, shumë pak, kujtohem për të
shpesh.
Edhe kur nuk është 5 gusht.
Edhe kur dy librat e tij nuk më shfaqen në raftin e librave
të mij.
No comments:
Post a Comment