Pikëçuditsja, (jo për faj të saj) ngjet me një shkop
bejsbolli dhe të le një ndienjë jo të mirë kur e shikon shpesh nëpër shkrime.
Duket se autori kërkon të të rrahë dhe të të shkundë, se ti si lexues, nuk je në
gjendje të reagosh emocionalisht ndaj asaj ç’ka ai po të tregon në shkrimin e
tij, ku dëshëron të përcjellë ide dhe emocione të fuqishme.
Ne jemi një popull shumë emocional, si janë gjithë Mesdhetarët
dhe ndërsa “të fortët” e rrugëve, i shprehin emocionet për një vend parkimi, për
një gërvishtje të makinës apo edhe për një vështrim të thjeshtë, me kanosje,
disa dacka ose një grusht, “të fortët” e intelektit e bëjnë duke përdurur
“shkopin” e pikçuditses. Dhe sa më shumë
i afrohemi Perëndimit, aq më shumë pikçuditse përdorim. Duket se po vjen
një kohë, që pikçuditsja do ja kalojë edhe presjes në letrat shqip, se me pikën
ka kohë që është “rrotë më rrotë“.
Jo më larg se pardje, një akademik botonte, një letër, të
cilën ja dërgonte kryetarit të Akademisë, Myzafer Korkutit dhe vetëm në
paragrafin e mëposhtëm kishte 4 pikçuditse, nga të cilat e nevojshme është vetëm
e fundit:
“Madje edhe më
keqkuptoni, për fatin tim të keq ! Ju bëj me dijeni se nuk i lejoj vetes në
asnjë rast të vendos në dyshim rezultatet e punës Tuaj shkencore në vitet e
fundit, qoftë edhe për etikë, ose sikurse them edhe sepse nuk jam njohës i
fushës që lëvroni Ju!
Nuk do të gjeni asgjë
të tillë në letrën time ! Lutem shënojeni mirë dhe përfundimisht këtë!”
Gjithshka mund të jetë e drejtë në letrën e akademikut, bile
ai me të drejtë mund të jetë aq i revoltuar me prof. Korkutin (e moshuar dhe
trupvogël), sa dëshëron edhe ta “rrahë me pikçuditse”, por lexuesit nuk i bën
asnjë të mirë, se veç bezdisjes, e bën të dyshojë edhe në vlerën e akademizmit
të tij.
Një ish kryeministër (bajagi i shkolluar), që nuk e fsheh
dot urrejtjen për kundërshtarin e tij politik, shkruan:
”Rama, disa investitorëve të hoteleve me 5 yje ju
thyen kockat, ndërsa miqve të tij dhe Olsit ju heq taksat!”
Lexuesi vërtet mund të çuditet
me veprimet tepër “të diferencuara” të Ramës”, por nëse ishkryeministri do
medoemos një pikçuditse, nuk duhet të zgjedhë një fjali dëftore.
Shembull frymëzues, sidomos për
të rinjtë, të cilët shkruajnë në FB dhe Twitter është një deputet, që dikur ka
qënë edhe kryeredaktor i një gazete. Ai parapëlqen të vejë nga një “shkop” pikçuditëse
në fund të çdo fjalie me foljen “është“.
“Natyrisht, asfare për dy zonjat!
Njëheresh, më sjellin në mendje faktin se,vlerësimi
institucional për punën, rezultatet,
vlerësimi po i tillë për bashkepunimin, është një kulturë që urrehet në këtë vend!
vlerësimi po i tillë për bashkepunimin, është një kulturë që urrehet në këtë vend!
Por në fakt eshte edhe qytetari; Njerëzillëk më shqip!”
Ndaj nuk kanë faj të
posadiplomuarat në universitetet tona, që shkruajnë nëpër rrjetet sociale- “Bleva një çantë Hermes!”, “Me pushime në Santorini!!”, “Gocës i doli
dhëmbi i parë!!!”.
Harrojnë se emocionet mund të
përcillen në shqip edhe pa përdorur “të uruarën” pikçuditse edhe atje ku nuk
duhet. (Nuk jam i sigurt nëse duhet apo jo ! në fund të kësaj fjalie.)
No comments:
Post a Comment