Nuk e kam vrarë mendjen ndonjëherë, se si ishte sheshi i vogël
para kinemasë, para se të ndërtohej “Majestiku”. Besoj se duhet të ketë pasur
banesa të vogla një dhe dykatëshe. I gjithë kompleksi, duke përfshirë “Bar
Republikën” ishte ndërtuar më mirë, se gjithë ndërtimet përreth. Kishte qënë
meritë e projektuesve, e ndërtuesve apo një kombinim i mirë i të dy palëve, por
e vërteta është, që ndërtimi edhe pse me një hapësirë të madhe brenda, i
rezistoi tërmeteve të fuqishme të viteve 1930 dhe 1960. Në krah të tij, Kisha e
Shën Sotirit (e vllehëve), u rrëzua në tërmetin e vitit 1930 dhe më vonë u
“fshi” përfundimisht nga pjesa qëndrore e qytetit.
“Majestiku” nuk ishte e para kinema në Korçë. Para saj, si sallë shfajesh filmi kishte funksionuar salla
në “kazinoja” në të hyrë të pazarit dhe më vonë ishte ndërtuar kinema “Lluksi”.
Por “Majestiku” ishte kinemaja më e madhe dhe më luksoze në Shqipëri dhe një
nga më të mirat e Ballkanit, kur u ndërtua. (Vlerësimin e fundit e kam marrë
nga “Gazeta e Korçës” e vitit të përurimit, pasi do më duhej të gërmoja shumë në
historinë e ndërtimit të kinemave në Greqi, Rumani, Jugosllavi dhe Turqi, për të
pasur një ide më të saktë se në ç’vend nderi qëndron kinemaja e Korçës.)
“Majestiku” ishte “vendi i takimit” të rinisë korçare me
Europën dhe Amerikën. Kishte më shumë vende se “Lluksi” dhe njëkohësisht
ofronte mundësi edhe për shfaqje të thjeshta teatri, me skenën dhe aksesorët e
saj. Për më tepër ishin llozhat, ku grupe të rinjsh mund të shijonin në grup
shfaqjen e filmit, ose edhe “të lëshonin” batutat, si bëhej në çdo sallë në botën
e zhvilluar. Sigurisht, që nuk kishte të njëjtën atmosferë, si ajo e filmit
“Kinema Paradis”, pasi Korça ishte ku e ku më e përparuar se qyteza italiane,
në të cilën zhvillohen ngjarjet e atij filmi.
Kinemaja ishte më pak se 100 metra larg nga Liceu Francez
dhe studentët e tij(çuditërisht ata të Liceut nuk janë thirrur kurrë në Korçë
nxënës), shkonin për të parë filma edhe në orarin e mësimeve. “Majestiku” ishte
qëndra e jetës kulturore rinore. Endrrat me Greta Garbon, Carli Caplin, Al
Xholson (një qytetar i njohur i Korçës mbajti nofkën “Allxhollson” gjithë jetën
e tij) thurreshin pikërisht në këtë qendër kulturore.
Qyteti ishte në lulëzim të plotë pas Luftës së Parë Botërore
dhe kishte marrë një “sharm” francez edhe si pasojë e ndenies së francezëve për
gati 5 vjet, që prej vitit 1915 e deri në vitin 1919. Kjo kishte bërë, që edhe
shumë të huaj të vinin e të punonin në Korçë. Qyteti sa vinte e popullohej me të
ardhur nga fshatrat e qarkut, Përmetit, por edhe Gjirokastrës. Të ardhurit
rishmë ishin të etur të mësonin ato, që ofronin qytetet europiane të kohës,
duke filluar me veglat muzikore dhe duke përfunduar në “dansi”. Mësues të
dansit dhe muzikës patën ardhur nga Greqia dhe Italia. Mes tyre, një i lidhur
ngushtë me kinematë dhe sidomos me “Majestikun” ishte Grigoris Metaksa.
Muzikanti grek, ishte për vite të tëra “shpirti” i filmave pa zë, të cilat në
gjithë botën shoqëroheshin me muzikë “live” në piano gjatë shfaqjes. Një pjesë
e mirë e pjesëve luheshin me partiturë, por nuk mungonte edhe improvizimi i
pianistit. Deri vonë, ka erdhur jehona e korit të të rinjve korçarë, që nën
tingujt e njohur të pianos të filmave, që i shihnin disa herë rradhazi, këndonin
“Ku e ke lojtur Metaksa/ Në bulevard, në sinema”. Muzikanti grek, njohës i disa
instrumentave, jepte edhe mësime private, por lidhja e tij me kinemanë mbeti
legjendare edhe dhjetvjeçarë të tërë pas largimit nga jeta. E tillë ishte pesha
e “Majestikut”.
Kinemaja është e lidhur me shumë emra të njohur të qytetit,
duke nisur me pronarët e saj dhe familjet e tyre dhe duke përfunduar me
“operatorët” e pasluftës apo ngjarjet brenda saj edhe në kohët më të reja. Por
do veçoja edhe një emër tjetër, që ka mbetur disi në heshtje gjatë dy dhjetvjeçarëve
të fundit. Ai i piktorit të madh korçar Guri Madhi, ose si njihej në rininë e
tij, Guri Vëthka.
Guri ka qënë talenti më i madh në pikturë, që ka nxjerrë Korça,
por për shkak të shtrirjes së veprimtarisë së tij artistike vetëm gjatë kohës së
Diktaturës, nuk mundi të arrinte shkëlqimin e Vangjush Mios.
Guri, që kur ishte adoleshent, punonte reklamat e filmave, që
shfaqeshin në “Majestiku”, bazuar mbi “kopertinat” e krijuara në Hollivud apo
Francë. Fasada e “Majestikut” mbajti për vite të tëra, “vulën” e furçave të
përdorura me mjeshtëri nga Guri, deri në kohën kur piktori shkoi me studime në
Bashkimin Sovjetik.
Ishin breza të tëra korçarësh, që u lindën me “Majestikun”
dhe u bënë artista nën ndikimin e tij. Ndohta një ditë do i rikthehet lavdia
dhe ndikimi.
Edhe shkëlqimi i emrit të madh, që mban.
No comments:
Post a Comment