Asokohe ishtë e e gjatë, veçanërisht e gjatë dhe e bukur.
Nuk kishte asgjë sensuale, që na bënte ta shihnim me admirim. Bile ajo dukej
sikur kishte turp nga shikimet e djemve dhe mundohej të fshinte cilësitë, që bënin
meshkujt të kthenin kokën.
Nuk më kujtohet të kemi folur pët të me shokët, ashtu si
ishte zakon të flisnim për vajzat e bukura të shkollës. Bina sikur i përkiste më
shumë qiellit. Më të shumtët prej nesh e kishin parë gjithnjë nga poshtë.
Kishim dalluar më tepër dy sy të mëdhenj dhe veçanërisht të bukur, me një lloj ëmbëlsie
të veshur nga një tis melankolik gati i pakapshëm. Por ishin si dy sy perëndeshe,
që të shihnin nga lart dhe të jepnin forcë, por asgjë më shumë. Nuk di nëse
shprehnin çka ishte në mendjen e saj. Mbase keqardhja për një botë me shumë
njerëz të shkurtër dhe që flisnin pa pushuar.
Bina ishte e qetë, e mençur dhe e kursyer në fjalë. Ose të paktën kështu
na dukej neve, që ishim një klasë poshtë saj dhe nuk e kishim dëgjuar në biseda
apo kur ngrihej në mësim. Ndoshta ishte e sigurt në ato, që thoshte për shkak të
shtatlartësisë së saj, ose ndoshta edhe kishte momente kur stepej, pikërisht
nga pasiguria , që i jepte shtatlartësia e pazakontë.
Tiparet e bukura, kornizoheshin nga flokë të drejtë e të
zinj, mrekullisht të zinj, që e bënin edhe më shumë të dukej si perëndeshë
Mesdheu. Ndoshta po të kishte flokë të verdhë do na dukej edhe më e largët dhe
e pakapshme. Me flokët e zinj ishte e jona. Perëndeshë sërish, por e jona. E
jona Bina.
Nuk di sot t’i përshkruaj trupin. Nuk e kishim vënë re as
kur bënte fiskulturë dhe vajzat e gjimnazit vishnin “kostumin” kilota të zeza
dhe gimnastiorka të bardha. Na mjaftonte ta kundronim shkallëve të shkollës, me
grykësen e zezë apo edhe veshjen e zakonshme, pantallona dhe bluzë. Kishte
krijuar një të tillë autoritet me bukurinë e fytyrës dhe mendjes.
Edhe në korin e shkollës apo në kompleksin e vajzave e
shihnim si “joshpërthyesen” Bina, që ndoshta edhe këndonte bukur dhe e
intonuar, por nuk mundohej të binte në sy. Ndoshta kishte frikë nga ata, që
dashuroheshin me të. I dhimbseshin mbase.
Erdhi një vit dhe ajo iku nga shkolla, si ndodh me të gjithë
ata, që maturohen. Nuk mund të them se shkolla nuk ishte më njëlloj pa të. Ne
mezi kishim pritur të bëheshim maturantë, që ishte një lloj statusi i “sundimtarëve”
në gjimnaz dhe e kishim harruar edhe Binan. Vite më vonë, e patëm parë përgjatë
Bulevardit të Madh të Tiranës, më të bukur se kurrë dhe më të largët. Tashmë
ajo i përkiste kryeqytetit, sikundër i përkisnin të gjitha vajzat më të bukura.
E megjithatë ajo mbeti shoqja e fëmijërisë sime, Albina Totoni.
E bukura Bina.
No comments:
Post a Comment