Të ashtuquajturat “serenada”, apo si janë zyrtarizuar tashmë
“serenatat korçare” më kanë bërë të mendohem edhe në periudhën e “thatësirës” të
këngës së kultivuar shqiptare. Ishin këngë, të cilat i këndonim me dëshirë, sepse
nuk kishin nga frazat e “mëdha” dhe bajate të këngëve të festivaleve, edhe pse
këto të fundit ishin nga ana muzikore ku e ku më lart se këngët tona të rrugëve.
Ajo, që më bënte të “mendohesha” rreth tyre ishte teprimi i asaj , që quhej
“dhemkë“, mungesa e origjinalitetit në shumë prej tyre dhe mungesa e elementëve
të muzikës perëndimore, që prej asaj të viteve ’20 e më tej. Për shembull, në
shumë “këngë të rrugëve” të krijuara në Tiranë, kishte elementë të muzikës
amerikane të viteve ’40, por kjo nuk ndodhte në këngët e Korçës, që mbeteshin
kryesisht nën ndikimin e këngëve të fillimit të shekullit të XX-të, të një
periudhe, të cilën do e quaja “pre këngë“.
Në fillimin e shekullit të kaluar, në trevat e Ballkanit
pati përhapje një muzikë e re, e quajtur qytetare, e cila ndryshonte nga
“muzika popullore” e shqiptarëve, grekëve, maqedonasve dhe bullgarëve. Ishin këngë,
të cilat krijoheshin nga muzikantë amatorë, apo të dorës së dytë dhe këndoheshin
nga komplekse burrash. Një pjesë e mirë e këngëve, ishin të ndikuara nga këngët
e operetave të nivelit të dytë, të Francës, Austrisë, Italisë apo edhe të
Greqisë. Kishte edhe masa të tëra muzikore të këngëve spanjolle apo të Amerikës
Latine.
Komplekset e burrave u bënë të njohur dhe shumë prej tyre
(si në rastin e korit “Lira”) patën veprimtari deri në vitet ’70, kur kultura
pop, kishte “shkatërruar” çdo lloj melodie të mëparshme, duke përfshirë këtu
edhe perlat napolitane të De Curtis.
Kjo lloj muzike e qyteteve, që posa dilnin nga feudalizmi,
dhe që u bë pjesë e koncerteve, por edhe e jetës së përditshme, si dhe i gjithë
festave familjare, për arsye të pakuptueshme, sot quhet si “muzika e
serenatave”. Nuk është se grupet e djemve nuk shkonin muzgjeve apo mbrëmjeve
pranë shtëpive të vajzave të bukura, që të këndonin e të dëgjoheshin, por pjesa
e “serenatimit” ishte pjesa më e vogël, që zinin këto këngë në jetën qytetare të
Korçës. Korifeu i muzikës qytetare të Korçës, Tole Adhami, këndonte ditën në
ura e Lumit, jo shumë larg mëhallës së tij. Vetë muzika klasike e serenadave të
Spanjës dhe Italisë është pak prezente në këngët korçare.
Por nëse në krijimin e këngëve në fjalë para Luftës së Dytë
ndikonte mungesa e kompozitorëve dhe instrumentistëve të shkolluar, pas Luftës
së Dytë, arsyeja e mbetjes prapa të këngëve ishte kryesisht politike dhe
idologjike. Keqësimi i marëdhënieve me Perëndimin nuk mund të lejonte përhapjen
e xhaz-it, bljuzit, muzikës big band apo atyre të mëvonshme si pop dhe rock and
roll, të cilat ndikuan në gjithë të ashtuquajturën “muzikë e lehtë“ europiane.
Nuk kujtoj të ketë shembuj orkestrash adoleshentësh, që të imitonin ato çka bënin
bashkëmoshatarët e tyre në botë, bile kjo edhe në periudhat më liberale. Për
shembull në fillimin e viteve ’70, pati përpjekje nga disa “kantautorë“
amatorë, si Mihallaq Andrea, Niko Qirici apo Nonda Kajno, të krijonin këngë
dashurie në frymën e këngëve bashkëkohore italiane, por deri aty mundi të
arrihej dhe krijimet e tyre të asaj kohe nuk patën popullaritet. Ndikimi i
muzikës së huaj në “këngët e rrugëve” mbeti vetëm ndonjë akord minor i këngëve
lirike ruse. Bile edhe disa këngë origjinale ruse u përkthyen dhe këndoheshin
nga grupet e të rinjve, kuptohet kjo rrugëve dhe jo në skenë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment