Monday, 26 October 2026

Shqiptarë mos ju besoni teorive të skenarëve për përmbysjet!


Shumë vite më parë, një moshatar i imi në atdhe, që nuk lexonte dot libra se i krijonin një lloj enjtjeje të kokës, më tregonte se si beheshin skenarët e përmbysjes së regjimeve, të ndryshimit të qeverive, puçeve dhe revolucioneve. Ishte funksionar i lartë në një parti të vogël dhe fliste me një bindje të admirueshme, të krijuar nga bisedat kafeneve me politikanë më të lartë. E dëgjoja veresije, se nuk doja t’i thoja “Leri këto marrëzira se di ca më shumë se ty nga kjo botë!” Nuk më vinte mirë t’ja menderosja.

Në Shqipëri ka dhe shumë “kompetentë“ të tjerë të tillë, që mund ta kenë edhe nga përzjerja në politikë, por dhe nga leximet e tepërta të librave me teori konspiracioniste. Tipik është Fredi i Pekas nga Korça,(ka qënë edhe deputet) ose si e njohin teleshikuesit shqiptarë, Alfred Cako.

Ka dhe plot të tjerë, ku shquan avokati Goxhaj me teorinë e zbrasjes së Shqipërisë për t’u transferuar hebrejtë, kur të mos “dajandisin” dot në Jeruzalem.

Duhet ta dimë dhe ta pranojmë, se edhe pse kanë shumë personel, shumë mjete monetare dhe shumë ambicie, nuk ka shërbime sekrete në botë dhe as llozha masonësh, që të jenë në gjendje të hartojnë skenare për çdo vend dhe çdo situatë, që të lëvizin fatet e njerëzve dhe kombeve sikur të ishin në një teatër marionetash. Edhe pse mund të ndikojnë, ndonjëherë edhe në mënyrë thelbësore, përsëri janë vendasit dhe jo të huajt, që sjellin ndryshimet politike , qeveritare, madje dhe revolucionet kudo.

Idiotllëku i “konspiracionistëve” shpesh ju shërben politikanëve të djallëzuar dhe korporatave për të krijuar një lloj tregimi, se “çdo gjë është e paracktuar dhe ju njerëz nuk bëni dot gjë!” Për fat të keq ka shumë njerëz që i besojnë dhe paralizohen.

Nuk ka asnjë skenar të përgatitur askund për atë që po ndodh në Shqipëri!

Një klasë politikanësh hajdutë e shpunë gjendjen ku s’mban dhe njerëzit u ngritën.

Asgjë më shumë se kaq!


No comments:

Post a Comment