Më mirë duhet të shkruaj se ai e quan veten një politikan i papërfolur dhe jo i pakorruptuar. Ndryshimi nuk është dhe aq i vogël po qe se ai ja di kuptimin e “i papërfolur”.
Nuk pata shkruar nonjëherë për të , sepse ruaja një lloj etike për dy herë, që i kisha kërkuar ndihmë për një vizë greke dhe një jugosllave. M’i kishte plotësuar në të dy rastet dhe i isha mirënjohës edhe pse vetë mund të kisha bërë më shumë për të . Ishin favore, që i kishin kushtuar vetëm nga një telefonatë.
Që ishte i korruptuar e dija, që në krye të herës, sepse ishte futur në politikë në një parti, me të cilën nuk kishte asnjë lidhje. (Ndaj Omonias dhe më vonë PBDNJ kisha pasur gjithnjë përbuzje, sepse nuk arrija të pranoja parti mbi baza etnish apo të feve). Por në një shoqëri shumë të korruptuar, si ajo shqiptare e para ‘97, nuk më dukej çudi e madhe që të hyje në çdo lloj partie “për të kap noji lek”.
E kisha pasur vetëm një vit në klasë në shkollën e mesme, por edhe më pas kisha pasur një lloj shoqërie, se luanim futboll në të njëjtin ekip prej 6 vetësh. Atëhere nuk kishte dalë termi “minikalçio”. Më pas nuk kisha pasur lidhje se kisha shkuar në universitet dhe ai nuk kishte mesatare notash, që të mund të studionte dhe pas ushtrisë kishte bërë natën më duket ekonomikun. Nuk di a në kishte hyrë në parti, se kishte qënë disa kohë drejtor në një ndërmarje, por edhe ajo ishte një ndërmarje me zyrat jashtë Korçës dhe nuk e kisha takuar ndonjëherë.
Partia e të Drejtave të Njeriut kishte vetëm një armë për të grumbulluar vota – vizat greke. Dhe politikani i papërfolur e përdorte në Korçë, ku nuk kishte pakica greke, po aq sa e përdorte një drejtuese e OMONIA-s, të cilën e njoha shkaraz, se projektova një vil-zyra për familjen e saj. Vite më vonë, kur nuk kishte më nevojë për viza greke, edhe Partia vetë, në Korçë mori fund.
Po pse po merrem me politikanin e papërfolur?
Nuk është i vetmi, i cili duke u marrë me politikë jo vetëm që “bëri para”, por edhe kujtoi se duke marrë një post ishte dikush. E vija re euforinë e tij “dijeshumë“ në 3-4 biseda që bëra më 1997 dhe 2004. Takimet e ‘97 ishin në Tiranë, ku “vërtitesha” për vizën jugosllave, që të jepja intervistën e emigrimit në Kanada. Bisedat më 2004 ishin gjatë dy ftesave, që i kisha bërë për kafe, për ta falenderuar për ndihmën e vitit ‘97. Më binte në sy menjëherë ngazëllimi i dikujt, që kishte punuar si zv.ministër apo drejtor tek një vend “ku kishte në dorë“. Mundohej të të tregonte rreth politikës, qarqeve ku vërtitej dhe ngjarjeve në botë edhe pse nuk ja kishte idenë. Nuk kishte lexuar kurrë dhe si e theshte vetë me “anglishten nuk e qulloste”. Por e kishte gjithshka të qartë dhe kët nuk hezitonte ta shprehte edhe në tv.
Qëlloi, që shoku im i mirë, Bin Xoxi, të merrej ato kohë me tregëtinë e medikamenteve dhe e dinte mirë, se ç’bënte “politikani i papërfolur” dhe se sa “fara kishte në kokë“. Qeshnim me meseletë, që Bini i tregonte gjithë lezet dhe për politkanin, dikur bashkënxënës, nuk ndjeja as neveri as keqardhje. Ishte një rrotëz në mekanizmin e madh të krijuar nga Berisha-Nano. Këtë të fundit e ka ende idhull, se ma shprehu sërish këtë vit, kur e ftova për një raki, përsëri për ta falenderuar për ndihmën më ‘97.
Rrethanat e kishin sjellë, që në shoqërinë e Nanos, të hynte në “lojrat e mëdha” në kazinot e huaja dhe të kishte prishur gjithshka, që kishte nxjerrë “me mund”. Më pas ishte detyruar të shiste edhe apartamentin në Tiranë dhe tani ankohej, që në telefon nuk e merrte më njeri. Sigurisht, ata , të cilët e telefonin në kohërat e tregëtisë së barnave, apo kur kishte qënë zv.ministër i punës, ishin njerëz të kallëpit të tij dhe nuk e telefonin më. Nuk mund t’ja thesha këtë në sy, ose nga etika e mirësjelljes, ose se edhe unë kam një lloj hipokrizie me njerëzit, me të cilët kam relata jo shumë të afërta.
Tani i shkrojta këto rrjeshta duke menduar rreth fjalorit të egër, që përdori ndaj meje në një debat në FB. Nuk ndjej hakmarrje, por mendoj dhe reflektoj në atë, që edhe njerëz të korruptuar, të cilët i njohim si “jo të zinj”, shpërthejnë kur preken sadopak. Më pat ndodhur e njëjta gjë, me një bashkënxënës, të cilin e kisha njohur akoma më shumë. Edhe ai tërësisht i korruptuar, por në një mënyrë tjetër.
Kjo më bën të dal në përfundimin, se ai që vjedh (korrupsioni në lek është një formë vjedhjeje) është në gjendje të bëjë çdo gjë kur e prekin, sepse nuk ka asgjë të shenjtë. Kuptohet, që një shoqëri kalimtare nuk është diçka e shenjtë, por hajdutët nuk kanë asgjë të tillë.
Ndaj duhen përbuzur dhe nuk duhen toleruar kurrë!
No comments:
Post a Comment