Wednesday, 21 October 2026

gogoli izraelit


 (vijim)

  1. Zionizmi është një dukuri relativisht e re. Vetë Teodor Herzog, babai i tij, nuk e kishte menduar krijimin e shtetit të Izraelit, por ju duk si domosdoshmëri pasi ndoqi në Francë çështjen Drejfus. Qysh atë kohë ka pasur edhe ndërmjet hebrejve qëndrime të ndryshme ndaj krijimit të Izraelit. Sot ka mes fanatikëve, por dhe mes më të moderuarave, qëndrime kundër shtetit hebre. E quajnë se antisemitizmi është shtuar më shumë për shkak të tij. Por shteti është një fakt dhe shumë hebrej kanë luftuar, janë vrarë dhe kanë vrarë për atë shtet, që e quajnë se është në tokat e premtuara nga Jehovai, Zoti i tyre. Tani mund të lenë këtë ëndërr të realizuar dhe të transferohen në Shishtavec dhe në Corovodë?

  2. Ka një lëvizje të madhe në SHBA nga ata më zionistët, për të edukuar hebrejtë e rinj amerikanë me dashurinë për Izraelin. Ju paguhen udhëtime dhe qëndrime disa mujore në Jeruzalem dhe gjetkë për t’i afruar me rrënjët e tyre. Ka një përqindje jo të vogël, të cilëve ju shpëlahet truri dhe vendosin të rrijnë në Izrael madje edhe të hyjnë në ushtrinë e vendit hebre, Ka prej tyre edhe mjaft që zhgënjehen, kur shohin krimet që kryejnë hebrejtë ndaj arabëve në përgjithësi dhe palestinezëve në veçanti. Nuk ka brenda kësaj lëvizje ndonjë mësim shtesë, se duhet të njohin edhe Shqipërinë për çdo eventualitet.

  3. Genocidi ndaj Gazës dhe lufta kundër Iranit, dëshmoi se Izraeli (pjesa më e verbër e asaj shoqërie) ka tani dhe një megalomani, që mendon se mund të kthehet në një fuqi të rëndësishme botërore sepse ka mjete finanaciare, zhvillim ekonomik dhe teknologjik, si dhe armë bërthamore. Pa përmendur këtu një lloj mbështetje të garantuar nga Shtetet e Bashkuara. Ndaj idea që po mbizotëron në rrethet e fanatikëve hebrej, por tani edhe të të moderuarve, është një ëndërr gati perandorake, të cilën hebrejtë nuk e kanë pasur kurrë më parë. Idea nga Lumi (Jordan) deri në Det (Mesdhe) tani është transformuar në një ide nga Nili në Eufrat. Nëse flasim për ide të tilla edhe pse mund të jenë të parealizueshme, idea për tu transferuar në një “bythë vend” si 28 mijë km2 tonat nuk hyn kërkund.

  4. Kufijtë e sotme në botë dhe veçanërisht në rajonin tonë mund të ndryshojnë edhe pse pas Luftës së Dytë u vendos që kufijtë mos ndryshojnë më, veç në rast se ka marëveshje mes popujve të ndryshëm dhe me një miratim të Këshillit të Sigurimit. Por Bota ndryshoi dhe Perëndimi vetë, për interesa të ngushta lejoi prishjen e Jugosllavisë me luftë, krijimin e shteve që nuk kishin ekzistuar më parë po me luftë dhe është gati të pranojë lëvizjen e kufirit Rusi – Ukrainë, për të cilin po bëhet luftë. Ndaj ka filluar një periudhë e rrezikshme për vendet e vogla dhe jo shumë të forta ushtarakisht. Edhe në këtë kuadër të ri, ende disi jo shumë të qartë, idea e Izraelit 2 në Shqipëri nuk hyn. Në zonën e “nxehtë“ Siri, Liban, Irak, po përplasen interesat e Izraelit me Turqinë. Problem shtesë në atë zonë është ai i kurdëve, një popull i madh, që nuk ka shtetin e tij, ndaj është shumë e mundëshme, që harta e asaj zone të korrigjohet. A do arrijnë të dominojnë izraelitët, turqit, arabët apo iranianët, kjo mbetet një gjë e panjohur dhe e frikshme. Po Sorosi edhe pse ka bërë shumë plane (sipas Cakos e të tjerëve) nuk ka planifikuar gjë për këtë.

Në përfundim duhet të them , që mund të ketë edhe shumë vrima të tjera të mëdha, që e bëjnë të mos mbajë ujë logjikën time të zbrazjes së Shqipërisë për t’u futur hebrejtë që i bien violive dhe kur bëjnë dasma i mbajnë lart mbi karrige nusen dhe dhëndërin.

Sigurisht që problemet e tyre në botë pas krijimit të shtetit hebre janë shtuar. Disa për faj të tyre, disa për faj të antisemitizmit dhe disa se në botë fqinjët në më të shumtën e rasteve “therren me njëri tjetrin”. Goditje që po merr i ashtuquajturi “globalizëm” nga tendencat nacionaliste në shumë vende, e kanë shtuar rrezikun e konflikteve të armatosura dhe kur ndodhin të tilla, jo vetëm që është keq se njerëzit vriten, por edhe gjërat janë shumë shumë të vështira për t’u parashikuar.

Miku im, me të cilin u shamë dhe u përshamë, mund të më thotë prapë, që flet i bazuar mbi fakte dhe jo mbi hipoteza, që flas unë. Po të dëgjosh të tjerë partizanë të flakët të kësaj teorie, ata t’a sjellin Tel- Avivin në Barç dhe kur themi Barç kemi thënë Korçë. Por unë përsëri jam më kokëfortë se faktet “kokëfortë“ dhe do vazhdoj të them se kjo teori nuk ka bythë ku të rrijë.

Le të më thonë edhe që jam agjent i Mosadit.



No comments:

Post a Comment