Saturday, 24 October 2026

QitapSurrati, unë dhe Antagonistët


Në fillim të qershorit u rifuta në Facebook, pas një mungese prej 12 vjetësh , me një profil të ri se të parit as ja dija fjalëkalimin dhe mendova se është më lehtë të nis “sënjëzaj”. Shkaku kryesor ishte se doja të ndikoja sadopak në Revolucioni Flamingo, që sa kishte nisur dhe mendoja se 12 vjet ishin të mjaftë për të mbajtur premtimin ndaj një mikut tim, që ma kishte sugjeruar më 2014. Ndoshta se edhe unë, si shumë të tjerë, kam kompleksin e numurit 12.

Pashë se QitapSurrati nuk ishte ai i një kohe të shkuar, kur kishte edhe rrahje mendimesh dhe mund të mësoje shumë gjëra. Ishte kthyer më shumë në një platformë ku njerëzit venë surretër dhe foto nga pushimet, ku njoftohen ditlindjet, varrimet, pagëzimet dhe synetllëqet; me një fjalë një vend virtual ku sundojnë emocionet dhe njerëzit tregojnë sa e duan njëri tjetrin dhe se sa dhimbje ndjejnë, kur dikush humbet gjyshen që po afronte 100. Nuk ka asgjë të keqe këtu, por unë dua të tjera “emocione”. Si më shkrojti një shoqe e fëminisë në publik - “dhe tani nxirre shpatën dhe pri sa majtas dhe djathtas” unë fillova,

(Duhet të rrëfej diçka, që nuk e kam përmendur deri tani se e di që avokati im do e përdorë vend dhe pa vend. Deviza e ime në jetë është “Rixor, ergo sum” që trashë trashë në shqip kthehet “Grindem, pra ekzistoj”)

Pasi pashë se javën e parë asnjë nuk “po ma shkelte brezin”, atëhere rrita numurin e postimeve në një ditë, dëbova ca miq që qenë shumë të butë dhe fillova të hidhja shkrime provokuese. Menjëherë pata sukses. Në dy javë bëra antagonistë rreth 48 serenatistë, dy muzikologë, tre klarinetistë-saksofonistë, një vajzë kantautori dhe dy putana. 56 vetë në 14 ditë nuk ishin keq, por unë synoja më shumë, se e ndjeja që mund të përballoja deri në 165 antagonistë.

Dhe në javët në vazhdim u shtuan gjashtë gazetarë, 4 poetë e gjysëm (njëri është poet part-time), 7 mekanikë me banim jashtë atdheut dhe 8 lënesha. I pangopur ju lëshova klerikëve dhe futa në thes një prift, dy dhjako, një myfti dhe tre dervishë, por nuk isha i kënaqur se synoja të kisha të paktën një peshkop.

Eshtë e çuditshme se nuk arrija të identifikoja patronazhistët. Ata janë vërtet një sekt i fshehtë edhe pse Rama e pranon që ekzistojnë.

Sot bëra antagonist një të njohur, të cilin e kisha takuar për herë të fundit në një autobuz qytetës në Misisaga në vitin 1999. Kiçi Markuçi (markuçi është nofkë, jo mbiemri i tij) në autobus më tha se kishte dëgjuar që kisha blerë shtëpi dhe do hyja së shpejti. E pohova dhe ai i vrenjtur dhe qortues më tha:” Po ku bëjnë këto shtëpitë e Kanadasë o! Këto i merr era.” Unë nuk e kisha menduar këtë të erës, por ishte vonë për të ndryshuar marëveshjen e blerjes dhe i thashë duke mbledhur supet:”E po kur t’i marrë të këtyre vendasve le të marrë dhe timen!” Pas një viti e gjysëm mësova që edhe Markuçi kishte blerë shtëpi, po nuk di në e kishte nga këto të zakonshmet, që nuk i rezistojnë dot erës apo kishte ndonjë të shëndoshë prej betoni.

Kiçi doli vullnetar si antagonist, rreth një komenti që kisha bërë për poetin Vangjush Ziko në një postim të këtij të fundit. Më bënte leckë që kisha përdhosur faqen e poetit, të cilin ai, si Argonaut i Kanadasë e quante Orfe. Duke qënë krejt injorant në këtë çështjen e Argonautëve të Kanadasë, nuk komentova më, por as kërkova të falur. Se si njeri i “grindjes permanente” nuk mund të tërhiqem, se antagonistët e tjerë mund ta marrin si dobësi.

Ndaj u lëshova nga dhoma e grave dhe andej bën antagoniste kollaj sa të shkruash diçka për politikë. Se këto të uruara zonja dhe zonjusha të Mëmëdheut, politikën e dinë në majë të gishtërinjve. (Më të shumtat kursejnë për të vënë nga këto thonjtë fallco dhe gjishtat i kanë tamam për politikë.)

I peshkova dy, por nesër besoj se do ze më shumë.

Rixor, ergo sum. (Vdes për këto latinishkat.)


No comments:

Post a Comment