Në këto ditë protestash në Tiranë, ku duket se do vendoset edhe e ardhmja e një populli, që ka vuajtur shumë, ngarkesa emocionale rritet. Një mikja ime, shumë aktive pro studentëve, arriti mbrëmë në Tiranë nga Torontoja, duke lënë punën, për të qënë në ndihmë të të rinjve që po sakrifikohen.
Nga një emocion i ngjashëm, edhe unë javën që shkoi bëra thirrje mos bëhen postime bosh në këto ditë, por të mbështeten djemtë dhe vajzat në Tiranë, ose të heshtet. Përgjithësisht miqtë e mij kanë reaguar pozitivisht ndaj kësaj kërkese dhe nuk kanë bërë postime nga ato, ku të gjithë vrapojnë të bëjnë “like” se janë “pa zarar”.
Me të njëjtën ndjesi reagova ashpër ndaj një poezie të postuar disa ditë më parë nga poeti Vangjush Ziko. Ja njoh kapacitetin mendor, që ka edhe tani, që është 95 vjeç dhe i kërkova që të thotë diçka në mbështetjen e të rinjve në Tiranë dhe në Korçë, se fjala e tij ka peshë. E di që edhe pse po afron të njëqindat është po aq i qartë mendërisht sa ka qënë në vitet më të mira të tij. Një ditë më vonë ai postoi një poezi kushtuar Flamingove të Tiranës.
Por komenti im nuk i kishte pëlqyer aspak dikujt të quajtur Kris Dini nga Korça, që jeton në Toronto dhe e quan veten se është një nga 55 Argonautët e Kanadasë. Me krenari tregonte se dikur e kishte quajtur poetin Ziko, Orfeun e tij dhe të Argonautëve të tjerë. Gjithashtu më sulmonte për një “patriotizëm cofëtirë“ dhe më quante se po bëja sakrilegj që në faqen e poetit po kritikoja Vangjushin dhe po cënoja frymën qiellore të faqes.
Unë nuk di se kush është Kris Dini nga Korça, por mendoj se duhet të jetë ndonjë Kiço, Kiçi, ose Kiçkë, (nuk përjashtohet mundësia edhe Kreshnik) që duke u bërë Argonaut ndjehet më mirë si Kris. Më solli në mendje edhe një bashkëmoshatarin tim Koço, që kur mbushi 45 vjet në Tiranë, vendosi ta ndryshonte emrin në Gjendjen Civile dhe ta bënte Kris. Nuk ka asgjë për të rënë në sy për mirë a keq në Krisët dhe as në Argonautët, por mendoj që në një kohë kur fëmijëve ju thyejnë këmbët policët duke i rrahur, nuk ka vend për poezi për hir të poezisë apo për mitologji greke.
Por ky është mendimi im dhe ndjeshmërinë ime dhe nuk ka pse ta kenë as poetët dhe as Argonautët.
(Këta të fundit janë edhe të lodhur nga udhëtimi me gjemi për 3333 vjet deri sa kanë mbërritur në Kanada dhe kanë vendosur të quhen modernisht Kris.)
No comments:
Post a Comment