E dija që kisha pritur vite për të më ftuar organizatorët në një Gala. Ftesa nuk pat arritur kurrë, se duket, që nuk ishte nisur asnjëherë. Ndaj kur pashë se në një “gala” mund të shkoje i paftuar, mjaft të prisje një biletë e pashë si një mundësi të artë. Shpallja ishte në Insta nga “galistja” e përhershme, Foti Kokeri Allteni ose Foti Allteni Kokeri. Filantropiste e Shquar, zonjë e nderuar, patriote e klasit të parë.
Por nuk di nëse Fotinia do merrte apo jo pjesë, sepse kam një ide të vagët, që jeton në Florida. “Gala” ishte në Filadelfia dhe personazhet kryesore do ishin një mjek shqiptaro-amerikan ekselent me mbiemër Toshkëzi, Vaskë Curri një këngëtar shqiptar (nuk di a është gjithashtu amerikan), i famshëm për këngën “Babaxhan kam qënë dhe babaxhan kam mbetur”, por mbi të tërë, gazetarja Mira Kazhani, që do firmoste edhe një kopje të librit të saj “Një ditë tjetër”, libër i përfshirë në biletën hyrëse.
Meqënëse kisha në plan të isha në Baltimor atë fundjave, mendova që do ishte një realizim i ëndërrës sime “galapjesëmarrës” dhe me një çmim tepër të arsyeshëm. Ndaj telefonova në numurin që kishte paraqitur në postim Fotinia. Nuk u përgjigj njeri, por edhe pse lashë një mesazh të detajuar, nuk më telefonuan më vonë. Nuk mendova se ishte një lloj skeme mashtrimi, sepse Allteni Kokeri nuk mund të jetë kurrë pjesë e një skeme të tillë. Telefonova sërish në darkë dhe m’u përgjigj një femër në shqip, e cila më sqaroi se “gala” do bëhej, nuk kishte nevojë për rezervime dhe paratë paguheshin në dera. Në fund shtoi edhe se kur të shkoj atje të kërkoja Evan. Mua nuk më duhej as Eva, as Adami dhe as Fotinia, por më duhej gala dhe të dëgjoja këngën “Babaxhan kam qënë“. (Gjithnjë e kam ëndërruar të më quajnë babaxhan, por nuk e di se pse nuk m’a ka thënë kurrë njeri.)
Me zjarrin e galas në zemër dhe 120 dollarë amerikanë në xhep arrita në Baltimorë të hënë dhe duke ëndërruar se ç’të vishja në gala. Eva më pat thënë që kostum dhe kravatë duhen, por jo në ndonjë ngjyrë të veçantë. Diçka përmendi, që femrat vishen në rozë dhe bëjnë një lloj parade, po mua nuk më hynte në punë ai informacion, se do isha vetëm në gala, Edhe pa i parë femrat e veshura e gjithë atmosfera po më dukej një rozë e ndezur, nga ato që të bindin , se mund të blesh edhe një kostum të tillë dhe të mos të të quajnë se je homoseksual. Por duhet të jetë i shtrenjtë.
Më pas mendova , se veç këngës së “Babaxhanit”, në Gala mund të këndohej edhe kënga e “Mjekut” për hir të Toshkëzit dhe më kapën të dridhurat. Ka disa vargje në atë këngë, që kur këndohen me shumë pathos më përmbysin të gjithë filozofinë time për jetën. Mjeku bën që Vdekja të largohet e trishtuar! O zot ç’lloj animimi. Mendoj Vdekjen me një Kosë të madhe, që largohet e trishtuar (nuk di si mund të lexohet trishtimi në një kafkë) dhe them që “ne shqiptarët jemi të pjerdhur nga mendtë“, se nuk di se në ç’vend tjetër të botës mund të shkruhen këto vargje. Dhe vendosa, që nga Baltimora të degdisesha në Niagara on The Lake, ku shëtisin njerëz normalë, të cilët nuk recitojnë marrëzira. E humba edhe Vaskë Currin edhe Kazhanin, se Fotin do e takoj ndonjë ditë në veprimtaritë e larmishme, ku ndih njerëz dhe pranon me shumë dinjitet çmime.
Ndoshta do ketë për mua edhe ndonjë Gala tjetër në të ardhmen.

No comments:
Post a Comment