Sunday, 18 October 2026

Klerikët rrinë dhe vështrojnë


Kemi qënë të bindur, që priftërinjtë katolikë kanë qënë ndër më të shkolluarit dhe më të mënçurit mes shqiptarëve. Me diferencë të madhe nga klerikët e tjerë ortodoksë, hoxhallarë apo baballarë teqesh.

E dëshmuan edhe këto ditë duke u angazhuar në preokupimin ndaj asaj ç’ka po ndodh në qytetet e Shqipërisë dhe duke kritikuar qeverinë qëndrore dhe administratat vendore.

Po ku janë Kryepeshkopi Johan, Baba Mondi dhe Myftiu i Tiranës?

Fshihen pas sloganit “feja nuk duhet të ngatërrohet me politikën”?

Eshtë e papërgjegjshme dhe do ta quaja të turpshme ndërsa Tirana është në flakë, këta udhëheqës shpirtërorë heshtin. Po lëndohen të rinj dhe policë, të mitur dhe të moshuar, vajza dhe njerëz me uniformë dhe të veshurit me rraso dhe xhybe bëjnë sikur nuk kanë sy dhe veshë.

Eshtë një nga mangësitë e mëdha që e bëjnë shoqërinë shqiptare, që të mos jetë demokratike.

Nuk është çudi që edhe Papa, në fjalën e të djelës të përmendë Shqipërinë, kurse këta (do i quaj merhumë) do thonë me zë të lartë lutjet e tyre ndaj Perëndisë së njerëzve dhe të mos çajnë kokën për njerëzit.

Prisni për vizitë për festat fetare Ramën, Ballukun dhe Bajram Begajn të dashur udhëheqës shpirtërorë!

Mbase kur flisni kokë më kokë edh ju thoni si me shaka”e mos mo vidhni kaq shumë dhe ju!?

Raporti i im me klerikët shqiptarë nuk është ai i një ateisti me udhëheqësit e bashkësive fetare. Gjithnjë kam menduar se me ndalimin e feve, Diktatura i bëri dëmin më të madh njeriut shqiptar. E kam parë në veset e mëdha të të gjithëve. Në mungesa e frikës nga ndëshkimi hyjnor. Edhe ata, që shkojnë çdo të djelë në kishë apo çdo të premte në xhami dhe teqe. Të pakët janë besimtarët e vërtetë.

Por ndaj klerikëve, që kam njohur kam pasur qëndrime të ndryshme. Admirim për Kryepeshkopin Anastas, indiferencë për ata, që nuk i kam njohur dhe përbuzje për Baba Mondin , si dhe për ca palo priftërinj në Korçë. Edhe për disa pastorë shqiptarë të shtirur.

Në të kundërt, ndaj pastorëve evangjelistë të huaj, si dhe misionarëve të tjerë, që kanë lënë vendet e zhvilluara dhe kanë ardhur në Shqipëri të ndihmojnë, kam ndjerë admirim të pakufi.

Nuk di se ç’ndodh me myftinjtë dhe me baballarët e teqeve, por priftërinjtë ortodoksë me pak përjashtime, marrin para për shërbimet që kryejnë. Ka syresh, që janë edhe më të korruptuar se kaq. Ndaj jo vetëm që nuk pres të dënojnë regjimin e Ramës, por nuk di a dënojnë edhe vetë Djallin.Në një shkrim të 6 muajve më parë, shpreha shqetësimin se Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare do korruptohet. Nuk kisha baza për këtë ndjenjë, por nuk di pse e kam këtë lloj frike. Reagimi ndaj ngjarjeve të fundit ma ka shtuar.



No comments:

Post a Comment