Monday, 5 October 2026

“Hajvanllëqet” e atyre që kujtojnë se e njohin arkitekturën


Nuk kam lexuar shumë shkrime rreth arkitekturës shqiptare gjatë shekullit të XX-të dhe ndoshta edhe nxitohem në ndonjë përfundim, por dua të përmend disa terma dhe trajtime, që bëhen edhe prej profesionistëve dhe që janë të pavërteta ose të krijuar në mendje të arkitektëve të rinj, të cilët nuk e mirë Historinë e Arkitekturës. Besoj se i kam prekur në shkrime të mëparshme, por mund të kenë qënë të shkëputura dhe në të njëjtin shkrim ku kam prekur çështje të tjera të arkitekturës shqiptare apo asaj botërore.

Po i ndaj në pika për të shkruar më qartë rreth termave, që mua më duken krejtësisht të gabuara, por pa qënë i sigurt se cilët autorë i kanë përdorur dhe nëse kanë qënë vërtet profesionistë, apo nga ata që shkruajnë rreth gjithshkaje me kompetencë:

- Arkitektura e Realizmit Socialist. Nuk ekziston një rrymë e tillë në arkitekturë dhe kush e përdor nuk di se ç’farë është Realizmi socialist. Në vetevete në të pesë pikat e tij, Realizmi Socialist nuk ka asgjë, që mund të aplikohet në arkitekturë.

- Arkitektura Socialiste – Nuk ka as edhe një stil të tillë arkitekture dhe nëse përdoret si shkurtim i “arkitektura në periudhën socialiste” është e mira të përdoret e plotë për mos krijuar ide konfuze sociale, filozofike dhe arkitekturore. Sepse shkrimet, që nuk janë pjesë e librave të profesionit i lexojnë edhe shumë njerëz, që krijojnë ide të gabuara rreth arkitekturës.

- Arkitektura borgjeze- nuk di nëse në të kaluarën ndonjë militant injorant shqiptar e ka përdorur këtë term për të përfshirë objektet arkitekturore të ndërtuara para Luftës së Dytë. Por edhe nëse kanë qënë të shumtë ata që mund ta kenë përdorur në kohën e Diktaturës, nuk ka asnjë logjikë të përdoret sot, as edhe si referencë.

- Arkitektura proletare – sërish një term krejtësisht i panjohur për mua, por si në rastin e mësipërm, është krejt i pakuptimtë përdorimi. Eshtë edhe disi qesharak, sepse termi proletar (i cili nuk ka ç’të humbë veç prangave) i takon njerëzve të varfër, që lenë bretkun në punë dhe nuk kanë asnjë lloj prone, ndaj s’ka dhe si të kenë lidhje me ndërtimin.

- Arkitektura kubiste- e kam hasur disa herë, nga arkitektë ose studiues, që kanë përmendur ndonjë vepër të Petraq Kolevicës apo të Maks Velos. Nuk ka një rrymë të tillë në arkitekturë edhe pse ka pasur “kubizëm” në pikturë. Dhe ata që njohin mirë Pikason dhe Brakun e dinë që Kubizmi nuk ka lidhje me kubet dhe paralelopipedet.

A ka rëndësi që termat të jenë të sakta?

Unë mendoj se po se po të vazhdohet kështu (futja si të vjen nga fundi i kurrizit) mund të kemi arkiteturë demokratike, të të drejtave të njeriut, të integrimit europian apo edhe arkitekturë etnikisht të pastër.

Ndaj po e mbyll si Xhorxh Gaber në këngën e tij të njohur politike “E Majta dhe e Djathta” – Basta!


Ne foto, pjese e Habitat 67 e Moshe Safdie ne Montreal. E kam sjelle si shembull te vecante te arkitektures moderne te shek XX, qe nuk quhet "kubiste' sepse nuk ka te tille.



No comments:

Post a Comment