Më duhet të pranoj që në fillim se as e kisha dëgjuar An Karson, nuk mbaj mend as se kush e pat fituar vjet Nobelin në Letërsi dhe mbase edhe disa vite të mëparshëm ka ndodhur po e njëjta gjë. Interesi m’u shua që kur dukej se gjeniu Is (unë jam shumi rezervuar për përdorimin e fjalës “gjeni” për plot personalitete, por po e quaj kështu, si për të qënë në një linjë me botuesin Hudhri) nuk po nominohej më si kandidat kryesor për çmimin.
Ishte një lloj sporti argëtues , me gjithë ekzaltimet dhe kundërshtimet, me vlerësimet objektive dhe me subjektivizmin tipik ballkanik, me paraqitjen si viktima dhe me zbulimin e komploteve ndërkombëtare, që nuk i jepnin Kadaresë atë, që i takonte dhe njëkohësisht letërsisë sonë aq të jashtëzakonshme edhe pse pak më shumë se njëqindvjeçare, vendin që meritonte mes letërsive të popujve.
Nuk di nëse në Tiranë, “sporti i takon apo nuk i takon Nobeli Kadaresë“ shoqërohej edhe me afishimin e shanseve dhe njerëzit vinin baste, por zhurrma ishte e madhe. Një arenë ku përplaseshin poetë dhe kritikë, historianë dhe linguistë, shkrimtarë dhe psikologë dhe veçançrisht ata, më të përkushtuarit, atdhetarët tanë të lavdishëm, nipërit e Ismailit (Qemal) dhe të Isa Boletinit. (Konica dhe Noli s’kishin bërë fëmijë dhe nuk kishin lënë dot nipër e mbesa pas.)
Një shkrimtar, të cilin e kisha njohur në fëmijëri, pat konstatuar se kjo zallahi niste sa hynte vjeshta dhe e fillonin ata që nuk e deshin Kadarenë dhe mundoheshin të ndikonin tek Akademia Suedeze, që Ismaili mos e merrte çmimin. Ky konstatim i pat ardhur pas hesapi edhe çiftit Kadare, sepse e përmendnin sa herë diskutohej rreth Nobelit. Po ose ne ndikonim për keq (vetë Ismaili pat përmendur edhe një ambasador shqiptar në Suedi, që i kishte bërë një letër negative Akademisë), ose sërbët e shumtë në Suedi “lobonin fort” (oh sa e pëlqej këtë shprehje kryeqyteti!), ose të tjera qarqe letraro-militariste bënin që ti jepej çmim për shembull Pamukut, që kishte damar shqiptari (madje dhe një të dashur arnaute) dhe mos i jepej Kadaresë, që shkruante më mirë.
Po e ka thënë Poeti ynë Kombëtar Gjergj Fishta, që Europa është “kurva e motit” ndaj edhe Suedia diçka e përdalë duhet të jetë, se jepte çdo mot çmim dhe ne nuk na përfillte. Të dukej edhe sikur deti të mbushej me çmime Nobel, për ne shqiptarët e cfilitur gjatë shekujve, nuk do gjendej grep që ta peshkonim një.
Dhe kështu e humba interesin në Nobeli dhe nobelistët.
Mund të më rizgjohet vetëm nëse në të ardhmen nominohet poetesha Rita Petro. Nëse mrekullia ndodh, do e mësoj përmendësh poezinë e saj më të famshme dhe do gdhihem dy javë rrjesht duke e recituar pa pushim nën dritaret e Akademisë suedeze në Stokholm.
No comments:
Post a Comment