Sunday, 4 October 2026

Tre shikime të ngjashme dhe të ndryshme


Me dy shokët e mij(që nuk e njohin njëri tjetrin) flasim shpesh për ngjarjet në Botë dhe në Shqipëri. Jetojmë në të njëjtin kontinente dhe diferencat në moshë nuk janë të mëdha. Vlerësojmë dhe shvlerësojmë mendtë e njëri tjetrit, se shpesh më thonë -“je hajvan i tëri!” dhe po me të njëjtë gjuhë ju drejtohem edhe unë. Eshtë një formë e vjetër e familiaritetit shqiptar e ndoshta dhe ballkanasit e tjerë e kanë.

Për Trump jemi plotësisht në një mendje. (Ata që lexojnë këtë blog e dinë se ç’mendoj unë për “The Donald”) Për të ardhmen e Amerikës kemi disa nuanca,dikush më gri dhe dikush më të errëta, por jo shumë larg njëri tjetrit.

Ndryshojmë në qasjen ndaj problemeve të Shqipërisë. Njëri, që e njeh më mirë situatën në Tiranë, se ka emigruar më vonë se ne, thotë që Shqipëria është në gjendjen më të mirë që ka qënë në të gjithë kohërat e ekzistencës së shtetit shqiptar; unë them që është keq por duhen bërë përpjekje për të ndikuar sadopak në solidarizimin e shqiptarëve kundrejt të Keqes dhe i treti pranon që është keq dhe e quan kohë të humbur çdo lloj përpjekjeje. Kuptohet “kohë e humbur” për të dhe për mua, që kemi hyrë tani tremujorin e katërt të jetës.

Si e përmenda më lart edhe pse e vlerësojmë njëri tjetrin, të tre kemi aq mend sa ta ndjejmë veten të barabartë nga formimi dhe mundohemi të paraqesim argumentat tona për tezën që mbrojmë. Ata të dy nuk marrin pjesë në rrjetet sociale. Edhe unë kam vetëm tre muaj, por me një pjesëmarrje itensive dhe gati për sherr, që kur ja u përmend ndonjëherë qeshin me mua. Kjo më bën të reflektoj dhe të pyes veten- “C’kërkoj unë në rrjetet sociale me diskutimet e zjarrta kryesisht për problemet e Shqipërisë?” (Përsëri një analizë nga këto psikologjiket, që më nxjerrin të mangët ose me vese.)

Disa që janë prekur nga shkrimet e mija më thonë se i bëj, ose hyj në debate për të rënë në sy. Një konstatim jo i saktë, se nuk do mungoja për 12 vjet me rradhë në Facebook nëse e kisha këtë dëshirë.

Avokati im i mëshon idesë, që unë kam qejf të grindem dhe duke mos patur përreth familjarë dhe duke mos qënë në marëdhënie pune, partnerët e sherreve mund t’i gjej vetëm në rrjetet sociale. Një deduksion jo dhe shumë larg të vërtetës, por unë komunikoj shpesh me 5-6 vetë jashtë këtyre platformave, dhe me ta nuk grindem.

Vetë më pëlqen të them se kam hyrë në FB, kur nisi revolucioni Flamingo, për të ndikuar sadopak në njerëzit që njoh, që ta mbështesin kauzën “rozë“. (Kjo roza më zuri pak si gafil, se jemi në tetor , që quhet nga shumë muaji rozë për shkak të mbështetjes të luftës ndaj kancerit të gjirit. Dhe unë nuk kam ndonjë kontribut në këtë luftë, madje kam qënë tepër kritik nda Filantropes së Shquar Foti Kokeri, e cila dhuron jo pak për çështjen “e roztë“.)

Atëhere mbetet si arsye, ajo që më ka karakterizuar tërë jetën. Mos bëj atë që më vlen se më duket e mundimshme!

Për shembull isha mes atyre që ju bëja bisht aksioneve, ose nuk punoja shumë. Nuk ishte thjesht dembelizëm, por më dukej si një punë hangari dhe më qesharake më dukeshin garat e emulacionit, ku jepeshin fletë-lavdërimi për të dalluarit. Ndaj edhe tani më duken Marrëzisht qesharake “galat” ose mbledhje ku jepen çmime për më të dalluarin e muajit, 6 mujorit apo vitit. Apo kur në mbledhje fondesh, organizatorët me entusiazëm thërresin: “Objektivi ishte të mblidhnim 160 mijë dollarë, por ju nuk do ta besoni, që vetëm në një javë kemi arritur në 242 mijë e 324 dollarë pa llogaritur centet!” dhe salla gjëmon në ekstazë, sepse rezultati është i prekshëm në shifra. Gati si në Kongreset e Partisë ku sho Enver jepte sihariqe si: “Shqipëria jonë për herë të parë e siguroi bukën në vend!” Dhe si mos entusiazmoheshe!

Kjo është arsyeja, që unë vras mendjen dhe shkruaj se si të bëj “një vrimë sa më të madhe në ujë“. Sepse ende besoj, që kur rrekesh të bësh vrimën krijon edhe disa rrathë koncentrikë, të cilët shkojnë deri në bregun e legenit.

Por në nëndërgjegjen time duhet të ketë edhe motive të hakmarrjes ndaj personave të caktuar, të cilët nuk i pranoj dot që janë të sukseshëm ose të plotësuar. Dhe kështu justifikoj me arsye pas arsyesh si të godas Di Lanën, Edin e Kristaqit, Ivankan e Trump-it apo Fotin nga Leskoviku.

Dy shokët e mij nuk kanë probleme të tilla dhe i kanë bërë naftën edhe FB-së edhe ndryshimeve sasiore dhe cilsore të hajdutëve të të dy anëve të Atlantikut.

No comments:

Post a Comment