Brezi jonë e ka provuar Heshtjen. Ishte e detyruar, e logjikshme, sepse mund të shkatërroje jo vetëm veten, por edhe të gjithë familjen. Ndaj kishte aq pak disidencë, veçanërisht në vitet ‘70, kur terrori u shtua.
Kemi prej vitit 1990 që jetojmë një kohë të Lirë. Madje filluam ta zgjidhnim gjuhën që kur Dulla iku nga kjo dynja. E mposhtëm gradualisht lepurin, që kishim në bark.
Po pse heshtni tani miqtë e mij?
Nga frika se do ju heqin fëmijët nga puna?
Nga që nuk doni të përballeni me fyerjet e patronazhistëve?
Nga që parapëlqeni t’ju quajnë të mirë dhe paqedashës?
Një palo burrë, që ka vjedhur kur kishte mundësi se ishte në pushtet, më shkruajti sot se kam mbetur në monologje të kota dhe shkrime bajate.
Por nga monologjet e mija të kota dhe nga shkrimet e mija bajate nuk i vjen kujt keq.
E keqja qëndron tek ata që na kanë qeverisur për 35 vjet dhe ju kanë qeverisur juve, që jetoni në Shqipëri 29 vjet të gjata, se unë kam ikur më 1997.
Por Heshtja juaj, miqtë e mij të mirë, e ka ndihmuar Berishën, e ka ndihur Nanon, e ka bërë me zemër Metën dhe e ka trimëruar Ramën. Ndaj dhe nuk po heziton t’ju rrahë fëmijët.
Ju lutem të mos heshtni!
* * *
Ramën e ngritëm ne, dhe ne duhet ta rrëzojmë!
Le të mos shtiremi se të tillë politikanë na bien nga qielli. Që t’i rrëzojmë këta idhuj të shëifur, në rradhë të parë duhet t’i themi vetes, që “edhe unë e solla Ramën!” Mos shfajësohemi para fëmijëve, por të pranojmë përgjegjësitë tona. Vetëm me këtë lloj pastrimi të ndërgjegjes jemi të gatshëm ta hedhim nga piedestali ku nuk u ngjit vetë.
A është e rëndësishme kjo?
Eshtë shumë e rëndësishme jo vetëm për ata, të cilët e kanë votuar, por edhe për ata që kanë votuar Berishën, madje dhe për ata , të cilët nuk kanë shkuar të votojnë.
Nëse duam vërtet të shkallmojmë regjimin dhe sistemin, duhet ta nisim nga vetja dhe të themi, që nuk do pajtohemi më me të Keqen! Kështu mund të mbështesim Brezin Z., që po bën atë, të cilën nuk e bënë 3 breza para tij.
Këto nuk janë fjalë boshe dhe të gjithë njerëzit , që kanë ndërgjegje i mendojnë, por e kanë të vështirë ta pohojnë hapur. Duhet pranuar! Edhe para fëmijëve. Mjaft më me justifikimet “po ç’të bënim ne”, “po alternativë tjetër ishte Berisha”, apo “të tërë një djall janë“. Duhet të pranojmë që kemi dështuar,se duhet të ishim ngritur të paktën 10 vjet më parë.
Nëse nuk jemi në gjendje të gjejmë përgjegjësitë tona, atëhere edhe nëse ky brez e rrëzon, shpejt do vijë një Ramë tjetër, përsëri duke marrë votat tona, heshtjen dhe indiferencën tonë!
Bëjeni këtë shqiptarë për hir të së ardhmes së fëmijëve tuaj!
No comments:
Post a Comment