Tuesday, 20 October 2026

Sinjalet nga qielli vijnë në mënyra të ndryshme


Ndoshta deklarimi i përsëritur se nuk jam besimtar më vuri sonte më 3.00 pas mesnate në sprovë. U zgjova nga zhurrma e brrerjes së diçkaje, po që ishte shumë më e zhurrmshme se brrejtja e një miu apo një krimbi druri. “Kushedi ç’lloj insektesh ka afër ekuatorit mendova” dhe u ktheva në anën tjetër. Por zhurrma bëhej më e bezdisur dhe u ngrita nga shtrati dhe pashë një fëmijë me maskë, që hante pringles. “O zot!”- i thashë vetes” qënkam në ëndërr se ç’do një fëmijë në dhomën time madje me maskë!” U shtriva dhe vura mbi kokë një nga jastëkët që mos dëgjoja më zhurrmën e rreme, por nuk kishte fund. Ndeza dritën dhe pashë që fëmija me maskë ishte një mapache, që po hante pringles, nga një tub që e kisha hapur më darkë. U ngrita i tërbuar dhe i dhashë datën mapaches me sharjet nga ato të fëmijërisë, që përqëndrohen kryesisht në soj e sorollop, ndaj të cilëve ushtrohet gjesti i dënueshëm i përdhunimit.

Më pas fjeta, por sot në mëngjes më rrinte mendja atje dhe mendova se si ishte e mundur që një mapache të hynte nga dera e mbyllur e ballkonit. Mos ishte një paralajmërim për mëkatet e mija të shumta?

Për të qënë më i qetë, sa u hap, shkova në kishën pranë hotelit ku ishte një prift katolik i quajtur Miguel Esteban. I shpjegova që doja të rrëfehesha se diçka më pat ndodhur natën, por dhe që nuk isha katolik, veç një i pagëzuar ortodoks me besim mjaft të lëkundur.

“Zoti i pranon të gjithë!”- më tha Don Miguel dhe hyri në atë pjesën e tij të qoshes së rrëfimeve dhe unë tek tjetra.

“Cilat mëkate ke menduar se ke bërë ditët e fundit, që ndryshojnë nga ato që bën rregullisht?”

Unë mblodha supet dhe më pas shtova se kam sulmuar në mënyrë dixhitale Kishën e vendit tim dhe veçanërisht një prift, që e kam pasur mik.

“Mëkati nuk është i thjeshtë, por ti mund ta korrigjosh me ndryshimin e qëndrimit. Të është falur!”-më tha Don Miguel Esteban dhe me mirësjellje më tregoi se rrëfimi ishte mbyllur.

U binda , që duhet ndryshuar rrugë, por kishë ortodokse këtu në Kosta Rika nuk ka dhe do më duhet që një falje të thellë e të plotë ta bëj si të kthehem në Kanada. Por për momentin thashë, që është mirë t’i kërkoj falje publike Papa Spiros, që nga shok më ka bërë ish shok. Ai edhe mund të mos e pranojë përulësinë time, por unë do vazhdoj të kërkoj falje. Dhe ndoshta kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë.

Për më tepër, kur pashë që ishte vendosur në një vijë me protestuesit dhe kishte bërë thirrje për “dashuri institucionale dhe mirëkuptim të përgjithshëm” e kuptova se sinjali që kisha marrë nga qiejt ishte i vërtetë.

Më ndje Papa Spiro dhe më ndje edhe ti Pastor Petrika Agolli, se Satanai më ka shtënë në ngasje dhe ju jam drejtuar me arrogancë, gjë për të cilën jam penduar thellë!


No comments:

Post a Comment