Friday, 2 October 2026

Art, Humanismo dhe Hope


Ata ishin dy burra. Njëri shqiptar, që kishte lindur në Milano dhe prindërit i kishin vënë emrin Art. Ju pat pëlqyer kultura italiane, të cilën e kishin zbuluar më shumë pasi kishin arritur në brigjet e gadishullit Apenin me një anije të madhe. Për t’i shpëtuar varfërisë të shtetit ish komunist. Art ishte rritur në metropolin italian, por kur kishte mbushur 25 pat vendosur të shkonte në Amerikë se ishte homoseksual dhe nuk ndjehej mirë në marëdhëniet me prindërit, fisin dhe komunitetin shqiptar në Itali. Pat menduar se në Nju Jork do ishte më i lirë dhe më larg paragjykimeve.

Humanismo ishte ndër të parët që kishte njohur në një lokal për gay dhe të dy e kishin pëlqyer njëri tjetrin. Edhe ai ishte emigrant në Amerikë, por kishte një kohë të gjatë në “Molla e madhe”. Pasi kishin jetuar disa vjet, shqiptari dhe kolumbiani kishin vendosur të martoheshin. Bënë edhe një ceremoni të vogël, ku kishin ardhur edhe familjarët e Art, që rrinin si mbi gjëmba, por gjithsesi i kishin thënë djalit të tyre , që e mbështetnin në zgjedhjen që kishte bërë në jetë.

Si ishin bashkuar me trup dhe shpirt menduan të kishin edhe një bir ose bijë dhe zgjodhën një mënyrë nga ato, që përdorin shumë çifte homoseksualësh, të cilët duan të kenë fëmijë. Disi në mënyrë më të natyrshme, zgjodhën një femër të shëndetshme dhe të bukur, që do bënte vetëm lindjen e fëmijës dhe nuk do kishte më pretendime si nënë biologjike (surrugato i quajnë në Amerikën e Veriut). Nga katalogu, që ju kishin paraqitur në klinikën private kishin zgjedhur një norvegjeze të quajtur Ruth.

Kështu lindi vajza e vockël, të cilën e quajtën Hope. Të dy kujdesen si dy nëna dhe baballarë të mirë, ndonëse Humanismo kalon më shumë kohë me të. Art është farmacist dhe ka një barnatore të tij në Bruklin.

Prindërve në Milano ju ka thënë që vajza e ka emrin Hope dhe në shqip ka kuptimin Shpresa. Edhe ata ngazëllehen kur e shohin në video dhe i thërresin nga larg Shpresa, Shpresaaa...

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për Kontinentin e Ri në këtë rrëfenjë. Në Shqipëri tingëllon shumë anormale, por ndoshta një ditë edhe atje do mësohen me fëmijë që dalin nga bashkimi i Artit me Humanizmin dhe që quhen Shpresa, Olsi ose edhe Skënderbeu.

I vetmi problem është se Hope, që është një bionde e bukur me sy bojëqielli, (ndoshta i ngjan më shumë nënës surrugato se sa baballarëve të saj gay), ka paraqitur që në fëmijërinë e saj prirje të lakmisë dhe të perversitetit. Kjo i ka vënë në grindje të vazhdueshme dy prindërit sepse Humanismo i thotë Artit – Pervert është për shkak të nënës sate këngëtare, që edhe pse i ka kaluar të 70-tat përsëri i ve brirë të shoqit, ndërsa shqiptari i kthehet kolumbianit duke e akuzuar se “tahmanë“ e ka nga yt atë, që është marrë me tregëti droge dhe tani është kthyer në bamirës dhe jeton i lumtur në Panama. Dhe ky sherr i vazhdueshëm mes Artit dhe Humanismos, ka shumë të ngjarë, që ta dëmtojë mendërisht Hopkën dhe në të ardhmen veç Lakmisë dhe Perversitetit të ketë edhe një sjellje anormale.

A duhen lejuar dy gay të përdorin një nënë surrugato dhe të kenë fëmijë?

Kjo pyetje milioshe nuk mund të gjejë përgjigje në një hartim të nivelit të shkollës fillore si rrjeshtat e mësipërme.


No comments:

Post a Comment