Sunday, 18 October 2026

Rikthehu në tropik

Nuk është kurrë vonë,

Edhe kur e gjithë qënia

Të thotë me këmbëngulje – Ik!

Edhe nëse të tjerët të thonë:

-Mos u end në atë zezonë!,

Ti prapë mund të kthehesh në tropik.

Sepse diçka më shumë ka kripa që buzësh mbetet

Se shija e një pjate bukur stisur,

Mbi një tryezë stërgjatë

Plot lule dhe stolisjesh rozë,

Ku nuk di nëse sheh para buzëqeshje,

A diçka në lëkurën e fytyrave është grisur.

Zbrit ku oqeani i pamatë,

Ka më shumë brohoritje

Se një det me spektatorë

Veshur me smoking

Dhe petke plot ngjyra.

Dhe pse tërësisht i vogël ndjehesh dallgëve,

Je më i vërtetë,

    Je më njeri,

        Se të tillë të bën natyra.

Ku dhe përpjekjet për të mësuar not,

Edhe trembja nga iguana,

Kanë më vlerë se bisedat kot,

Ku mundohen të largojnë mendimin e vdekjes,

Të gjorat putana.

Këtu mund të ndërpresësh

Metastazat e vanitetit,

Që për të keqen tonë

Tek të gjithë ne lëvrijnë.

Rikthehu në tropik,

Në të vetmen Parajsë që njohim

Dhe do shohësh se të bukurat çaste,

Përsëri do vijnë.


No comments:

Post a Comment