Mbrëmja kishte hyrë me një ndjenjë mërzie, si çdo e djelë, kur nuk ke asnjë plan. Eshtë e djela e Super Bowl dhe të gjitha baret në Amerikë janë plot. Ndoshta edhe në Kebek. Por nuk është tamam kështu. Në të parin Bar që zgjedh, ekranet shfaqin vargjet e një kënge anglisht dhe një çift të moshuarish këndojnë duke ndjekur tekstin. Eshtë natë karaokeje dhe askush nuk do të shohë ndeshjen finale të futbollit amerikan. Luajnë “Shefat” e Kentakit me “Shqiponjat” e Filadelfias.
Në barin e humbur “24 Qershori”, ku kam ndjekur një ndeshje
të Kampionatit Botëror të futbollit, ka pak njerëz, por të paktën në ekranin e
vetëm është programiiI fillimit të ndeshjes. Ulem tej banakut, ku janë ulur
thuajse të gjithë se para të porosit më shkojnë sytë në një tryeza të madhe ,
mbuluar me një cohë të zezë, ku shkruhet EROS. Mbi të sende të ndryshme, disa nëpër
kuti të tjerat të hapura. Një vajzë e re, e veshur thjesht dhe pa asnjë tualet
në fytyrë, ju shpjegon me rradhë të pranishmëve të pakët, se ç’farë mund të bëhet
me veglën që mban në dorë. Janë vibratorë të dimensioneve dhe ngjyrave të
ndryshme dhe vajza e re spjegon me profesionalizëm dhe seriozitet, sikur po
shet ushqim për fëmijë të vegjël, ose detergjente për amvisa. Eshtë e çuditshme
për mua, por kamarierja më thotë se gjithshka bëhet në kuadrin e festimeve për
Shën Valentinin. Të moshuarit, që janë thuajse të gjithë të pranishmit, bëjnë
shaka me veglat, por nuk hezitojnë t’I provojnë në qafë ose në parakrahë. Duken
të kënaqur me cilësinë, por nuk shoh njeri të blerë.
Ndërkohë ndeshja ka nisur dhe pa u shënuar “touchdown” i parë,
vibratorët janë zëvendësuar me të tjera “tartagjylka”, që duhet të jenë zëvendësuesa
të organit femëror, se shoh që meshkujt fusin gishtat në to, pasi vajza shitëse
ka vënë brenda tyre lubrifikues. Vazhdojnë të qeshurat dhe mosblerjet dhe në
ekran shfqen Adele, Le Bron dhe të tjerë të njohur, që po ndjekin në stadium
ndeshjen e rëndësishme.
Pas gotës së parë të birrës ndjehem në një lloj surealiteti
të një Bari të lirë, ku disa shohin ndeshjen më të rëndësishme sportive të
vitit në Amerikë, por më të shumtët ndjekin shpjegimet për cilësinë e “argëtuesve
artificialë seksualë“. Eshtë një temë, që gjithnjë e tejkalon çdo temë tjetër.
Ndjek personazhet gjysëm të eksituar, ku bie në sy një i moshuar me një mjekër
si të Darvinit, i veshur me xhinse tub lara lara dhe një xhaketë lëkure apash.
Darvini pi një shishe me birrë 710 ml dhe i mban sytë tek objekti i rradhës.
Nuk di nëse vërtet është i eksituar nga evolucioni i “lodrave seksuale” apo e
ka nga birra.
Ndërkohë të dy ekipet kanë shënuar, por veç meje asnjë nuk
duket i interesuar për ndeshjen. Të moshuarit përpiqen të flirtojnë me shitësen
e re, ndërsa të moshuarat i shikojnë më me kujdes vibratorët. Dh endërsa në
ekran është shfaqur Cher krejt bionde, krah një zezaku të ri, edhe ai biond, dy
nga të moshuarit u janë drejtuar makinave elektronike të fatit. Para se të shënojë
Filadelfia dëgjohet një gotë që thyhet në dysheme dhe njëri nga të moshuarit
bije sa gjatë e gjërë në shpinë. Tani më duket vërtet si ëndërr edhe pse nuk është
e tillë.”Edhe një vdekje kisha mangut”
-mendova ndërsa të pranishmit nxituan për t’I dhënë ndihmë të rënit dhe për të
njoftuar 911. I moshuari i ka sytë e hapur dhe diçka thotë, por nuk lëviz asnjë
muskul tjetër. Ndoshta kështu i thotë një grua që ka nxituar e para pranë tij.
Operatorja e 911 pyet për situatën, që dikush ja shpjegon duke pyetur herë herë
të tjerët, ndërsa shoku i të moshuarit të rënë i siguron se nuk ka gjë dhe se i
ka ndodhur dhe herë tjetër. Darvini diçka mërmërit nëpër dhëmbë dhe unë mendoj
se ka të bëjë me Mbijetesën e Llojeve, por ndoshta nuk ka asnjë lidhje me të.
Paramjekësorët po vonohen dhe i moshuari këmbëngul, që është
më mirë dhe mund të ulet në një karrige. E ndihmojnë të ngrihet dhe ai ulet e fillon
të flasë me shokun e tij, që ka rifilluar të luajë në makinën elektronike të
fatit. Edhe “Shefat” me “Shqiponjat” janë në barazim dhe duket se ekuilibri është
i plotë në tablonë e Salvador Dalisë. Vetëm unë jam i tepërt. Ndaj dhe largohem
pasi kam paguar.
No comments:
Post a Comment