Kjo dëshirë për reflektim është objekt i ketyre reflektimeve,
që shumë njerëz të letrave i quajnë refleksione, sepse tingëllon më moderne, më
e thellë dhe më intriguese.
Por dëshira për të reflektuar, duhet edhe ajo të jetë pjesë
e “softit”, që të është instaluar “atë ditën e tretë pas konceptimit”. Po njëlloj
si janë të “instaluara” të mirat dhe të metat, hyqet dhe tarbietet, talentet dhe
mangësitë. Nuk mund të reflektosh sepse të thotë dikush edhe sikur të jesh i bindur
se ka të drejtë. I tha dhe sho Enver sho Mehmet, të shkonte në shtëpi e të
reflektonte dhe të vinte në mëngjes me një autokritikë më të thellë, por sho
Mehmet nuk mund të reflektonte më thellë dhe vrau veten. Dikush mund të thotë
se ai e kuptoi , që “shoku i armëve” i kërkonte ta damkoste veten si armik, që
dhe ai të thoshte që e pranoi me gojën e tij. Dikush tjetër mund të thotë, që
nuk e lanë as të reflektonte por e vranë. Një i tretë mund të hidhet e thotë “ç’na mbushe me miza me këto meseletë e sho
Enver!” Dhe të gjithë kanë të drejtë dhe nuk kanë asnjë arsye që të
reflektojnë për opinionet e tyre.
Por le të merremi me dëshirën për të reflektuar, përpjekjet
për të reflektuar, mundësitë për të reflektuar dhe gjithë ç’rrjedh më pas.
Dëshira për të “reflektuar” ngjizet në fëmijëri, që kur
prindërit të thonë se kjo nuk duhet bërë, ose nuk duhet ta bësh keq dhe ti ju
premton se nuk do e bësh më ose se do e bësh më mirë. Unë nxitoja për të ngrënë
pa larë duart dhe edhe pse im atë më dërgonte t’i laja, i lagja shpejt e shpejt
pa i larë, i fshija dhe ulesha në tryezë. Pas kontrollit dërgohesha sërish e sërish,
por edhe pse premtoja se nuk do ulesha pa i larë duart vazhdova shumë vite të mos
“reflektoja”. Një kohë të gjatë pata në shtëpi epitetin “qelbak”, por kjo çuditërisht
më bënte për të qeshur dhe nuk më nxiste të ndryshoja. Në shkollat e sistemit të
vjetër, qoftë ai i Diktaturës, por edhe para saj, vërejtjet e mësuesve për të “ndryshuar”,
“për të mos bërë këtë dhe atë“, “për të marrë shembull nga Agimi dhe Lindita” i
mëshohej “reflektimit” si një gjë e domosdoshme dhe e mundëshme. Padyshim që
modeli sovjetik, që eksperimentonte të bënte lopë 6 metra të gjata, mendonte se
çdo gjë varej nga mjedisi dhe nëse krijoheshin kushtet dhe shtoheshin përpjekjet
mund të krijohej Njeriu i Ri sipas një modeli të caktuar.
Duke dëgjuar të tilla “daulle” edhe unë desha të ndryshoja.
Të bëja rregullisht detyrat dhe mësimet, të mos qeshja në orën e mësimit, të mos
isha mes nismëtarëve për të ikur nga ora e mësimit dhe të mos ju ktheja fjalën
mësuesve. Madje i premtoja vetes dhe të tjerëve, por nuk e mbaja dot më shumë
se disa orë mësimi ose shumë shumë një ditë. Pamundësia për të ndryshuar bëri që
gjatë gjitha cikleve shkollore të kisha probleme me mësuesit striktë, ata të
paarsyeshëm dhe atyre me bindje të forta materialist-dialektike-sovjetike. Ndoshta
këtë “pandreqshmëri” kishte parasysh drejtori i shkollës, që në një bisedë, ku
nuk isha i pranishëm deklaronte: “si njeri është i keq!”. Nuk di nëse dhe ai
sot e ka kuptuar se nuk mund të ketë adoleshentë të mirë e të këqinj si njerëz,
por vetëm të ndryshëm dhe të tillë që edhe nuk mund të futen në kallëpe të
paracaktuara nga sistemi.
Që kisha dëshirë të ndryshoja sepse ma kërkonin nga shumë anë,
dëshmonin duke qeshur edhe prindërit e mij, që kur përpiqeshin njëherë të më
zgjonin për të shkuar nga dhoma e ditës e të flija në dhomën time, nëpër gjumë
ju thosha i trembur “kam bërë kthesë, kam bërë kthesë“. Nuk isha më shumë se 12
vjeç. Në nënndërgjegje më kishte mbjellë shoqëria në mënyrë imponuese nevojën për
“të bërë kthesë“.
(vijon)
No comments:
Post a Comment