Ai më tha “Përshëndetje” dhe unë për pak ju përgjigja “Përshëndetje e satëme!”, ose më keq akoma “përshëndetje e asaj të satëme!”. Ai nuk kishte asnjë faj veç që ishte më i moshuar se unë. Nuk ndjej të njëjtin revoltim, kur ma thonçë të rinjtë, ose edhe mesogratë, që ndjekin me fanatizëm emisionet televizive të kanaleve shqiptare. Por një 70 vjeçar duhet të ketë pak mend më shumë para se të thotë këtë “modernen” “përshëndetje”.
Po ç’ka të keqe këtu?
Kjo fjalë “përshëndoshëse”, e cila pak a shumë zëvendëson “hi”
apo “ciao” ka marrë tani zyrtarizimin në shqipen e përditshme. Duhet pranuar si
e tillë pa e vrarë mendjen shumë.
Dhe pikërisht këtu hyn “konservatorizmi” i im, që para se të
përdor një fjalë apo shprehje, të cilën e përdorin të gjithë e vras mendjen pak
si shumë. (Jo aq sa Ben Blushi, i cili i pat thënë Kadaresë, që e vret mendjen
shumë në çdo çast.)
Ne na patën mësuar më të rriturit t’ju “jepnim vaftin” të
tjerëve me urimet “mirmëngjes”, “mirdita” dhe “mirmbrëma” apo të tjera si “ditën
e mirë“, “natën e mirë“ apo “mirupashim” kur ndaheshim. Vetë fjala “përshëndetje”
edhe sipas gjuhëtarëve është një fjalë e përgjithshme, që përcakton grupin e këtyre
fjalëve ku hynë edhe “lamtumirë“, “shëndet paç”, “tungjatjeta” e shumë të tjera
fjalë të bukura të shqipes, që rrezikojnë të përdoren gjithnjë e më pak nga
futja e pavend e fjalës “gjenerike”.
Përdorim më të gjërë pat marrë në kohën e Diktaturës, por përsëri
nuk zëvendësonte ato, të cilat nuk duhet të zëvendësonte. Bëhej fjalë për
shembull për “përshëndetja e pionierëve në Kongresin e Partisë“, ose “udhëheqësi
përshëndet nga tribuna të pranishmit”, ose “në emër të partive
marksiste-leniniste përshëndetjen e mbajti shoku Zhoao Amazonas”, apo në fund të
fletë-rrufeve, ku vihej togfjalëshi “përshëndetje revolucionare”. (Ndoshta edhe
kujtimi atyre viteve e bën të bezdishme
për ne të brezit tonë këtë fjalë.)
Përse është kaq e lehtë të thuash në telefon “përshëndetje”,
kur mund të thuash “mirdita” ose edhe “si jini?”
Eshtë fjala “përshëndetje” një lloj kyçi kopil, që mund të
hapë lehtësisht çdo lloj bisede, me të njohur dhe të panjohur?
Tamam tamam mund të jetë çelës i një fraze të këtij lloji : “Përshëndetje, po normal, që unë për momentin
nuk kisha se si të mos ndjehesha i realizuar, kur përballem me një figurë të
dimensioneve të tilla që e ngre stekën gjithnjë e më lart”.
Përgjigja e konservatorit matuf do ishte: “Merri me “përshëndetje”, me “po normal”, me
“dimensione” dhe me gjithë “stekën” dhe “për momentin” futi atje ku të dhemb më
shumë!”
No comments:
Post a Comment