Friday, 10 February 2023

Varadero 2005, Varadero 2023

 

Plazhet janë të njëjtë. Po aq të pastër, të pafund dhe përgjithësisht të cekët deri në 50-60 metra. Ka më pak njerëz të Sigurimit dhe ata që janë duken më të çlirshëm dhe nuk janë të detyruar të mbajnë këmishë të bardha. As të qëndrojnë më këmbë. Disa hyjnë edhe në debate me kubanët e tjerë nëse Rauli kishte bërë mirë apo keq. Sigurimsi madje ja hedh fajin Fidelit, por unë kuptoj shumë pak spanjisht dhe nuk e ndjek dot një bisedë për të cilën do isha kureshtar. Do e krahasoja me bisedat që bënim ne pasi kishte vdekur Enver Hoxha. Edhe të vdekur nuk e “kritikonim” dot publikisht. Vetëm në rrethe shumë të ngushta.

Punonjësit e resorteve dhe kubanët që shoh rrugëve duken po aq të shkujdesur edhe të gëzuar si para 18 vitesh. Të veshur më mirë. Dhe të gjithë me telefona smart. Duket se ky dhjetvjeçar do jetë i fundit i sistemit me një parti. Nuk mund të mbahet më ky paradoks kaq pranë demokracisë më të fuqishme në botë dhe me kaq e kaq kubanë kundërshtarë të regjimit në Florida. Shumë prej tyre edhe shumë të pasur.

Hotelet e ndërtuar në vitet ’70-’80 kanë nevojë për riparime, por duket se përveç njerëzve të shumtë të mirëmbajtjes, mungojnë materialet, duke filluar nga bojërat. Pllaka të plasaritura, vetrata duralumini që nuk mbyllen mirë, çelësa elektrikë difektozë, janë disa nga gjërat e vogla që të sjellin në mendje hotelet shqiptare të viteve ’80. Ndërkaq, vajza të reja, të cilat me siguri shpresojnë për një vend si kamariere, pastrojnë vazhdimisht dyshemetë me pllaka të kafeve dhe holleve të katit përdhe. Me një zell të çuditshëm. Ndoshta deri sa “të kapin” një vend ku përfitojnë bakshishe. (Ka një kolektivitet edhe në ndarjen e bakshisheve. 3 Kamarierët e barit i ndajnë me dy banakierët. Pijet janë pa pagesë.)

Turistët, kryesisht kanadezë, vazhdojnë t’ju falin punonjësve të hotelit shampo, sapunë, pantallona të shkurtra, bluza, këmishë, syze dielli dhe shapka në fund të qëndrimit të tyre. Kubanët i pranojnë duke falenderuar, por nuk është më i njëjti gëzim në sytë e tyre si para 18 vitesh. Mungesat më të mëdha tani janë në ushqime. Qëllon që kur të sjellin kafenë të të thonë që nuk ka sheqer, në një vend që furnizon gjithë botën me të. Nuk ka as verë të bardhë dhe ndonjëherë mungon edhe e kuqja. Nuk e kujtoj si ishte gjendja e pijeve alkolike në kohën tonë të tallonave. Mungonte më shumë “Sheshi i zi” apo “Sheshi i bardhë“?

Nuk di nëse Kanadaja do ishte bashkuar me embargon amerikane, regjimi në Kubë do kishte rezistuar kaq gjatë. Turizmi ka qënë një burim i madh valute për ta. Ndoshta do kishte qënë më mirë për popullin kubanez të mos kishte patur turistë kanadezë. Nuk ka kuptim që në një vend të bekuar nga natyra njerëzit edhe sot mos hanë dot atë që dëshërojnë. Në emër të një ideologjie absurde, që mban në pushtet një klikë që jeton në luks mbi mjerimin e njerëzve të thjeshtë.

Mirupafshim Varadero në të tjera kohë!

No comments:

Post a Comment