Monday, 13 February 2023

Kolevica iku përtej


La shumë vepra. Të projektuara, të zbatuara, të shkruara, të botuara. Dhe kishte vetëm një dorë. Dhe kishte shumë mend. Dorën e kishte humbur nga një bombë e gjetur diku, si ju ndodh fëmijëve në botë pas luftrave. Pat shkruar edhe si ishte ndjerë kur ishte fëmijë dhe njëra dorë nuk ishte më. Një fëmijë i bukur, me flokë të verdha dhe që fatkeqësisht pat humbur njërën dorë. Kështu e kujtonin bashkëkohësit e fëmijërisë.

Sot ka mbyllur sytë e tejlodhur. Nga leximet, shkrimet, projektet. Kishte disa vjet që nuk shihte thuajse fare. Ndoshta humbja e shikimit i kishte risjellë kujtimin e trishtë të humbjes së njërës dorë.

U rrita duke dëgjuar rreth Petraq Kolevicës për punët e tij cilësore arkitektekturore në Korçë. Bëra dhe 12 klasa shkollë në shkollën e projektuar prej tij, që ishte në ato vite shkolla e projektuar më mirë në gjithë vendin. Kolevica ishte arkitekti i parë rreth të cilit kisha dëgjuar të flitej dhe më i miri. Kur shkova të studioja për arkitekturë doja ta njihja, por nuk ishte më në institut. Ishte thuajse një legjendë si projektues dhe intelektual me guxim. Në rrethet e studentëve të arkitekturës qarkullonin episodet e tij në përballjen me Diktatorin në Ekspozita e Kulturës Popullore dhe për “erethisjen” e Spiro Kolekës, kur kishte parë tavanet e lyer bojëqielli në banesën në Bulevardi “Stalin”. Dhe për të shtuar legjendën mbi aftësitë e tij, edhe pas “syrgjynosjes” në një kantier, e kishin marrë në katërshen projektuese për Muzeun Kombëtar.

Para se të hapej Muzeu, na shpuri ta shihnim një tjetër arkitekt i shkëlqyer korçar, Ilia Papanikolla dhe sërish shpresoja të takoja Kolevicën. Nuk e pashë dot dhe nuk e pashë as në televizion gjatë përurimit, se pranë udhëheqësve ishin arkitektët Sokrat Mosko, Nina Shehu dhe Enver Faja, ndërsa i katërti, Petraq Kolevica, ishte mes turmës së popullit.

E takova vetëm dy herë në fundin e viteve ’80 dhe bisedova aq sa mund të bisedojë një arkitekt i ri me profesionistin më të mirë të kohës. Megjithatë Petraqi ishte i thjeshtë, i mënçur dhe nuk fshinte një lloj zhgënjimi nga çdo gjë që bëhej në Shqipëri. Mund të mësoje shumë nga ai, por mund të mësoje edhe vetëm nga veprat që kishte bërë në Korçë. Të pastra, të proporcionuara mirë, të zgjidhura thjesht dhe me mendim, ato janë të gjitha të natyrës të “Style Internationale”. Moderne në kohën e tyre dhe i kanë rezistuar edhe 50-60 viteve, që janë ndërtuar për të hyrë në fondin më të mirë të arkitekturës shqiptare. Krahas kryeveprave të tjera të tij në Tiranë.

Pat jetuar gjatë në Tiranë, por kur fliste kuptohej që tej se ishte korçar i devotshëm. Nuk kishte ndryshuar asgjë në të folurën e tij. Besnik ndaj të kaluarës, ndaj kulturës dhe ndaj të vërtetës. I dashuruar me letërsinë dhe artet. I përkushtuar ndaj tyre.

Sonte po kalon natën e fundit mbi këtë dhe ndoshta shpirtin e ka tashmë lart tek Panteoni i të mirëve dhe të vërtetëve.

Adio Petraq!

No comments:

Post a Comment