Friday, 8 January 2021

A mbështet komuniteti shqiptar në SHBA “The Donald”?


Unë nuk kam të dhëna statistikore, por dëgjoj nga shumë njerëz matanë kufirit, që  pjesa më e madhe e shqiptarëve në Amerikë ka votuar për Trump dhe vazhdon ta mbështesë.

Deri këtu asgjë nuk është anormale. Edhe pse shumica e komunitetit i përket shtresës së ulët (nga pikpamja financiare) në mbështetje të Trump gjatë 6 vjetëve të fundit, kanë qënë një pjesë e madhe e atyre , që quhen “blue collar whites”(të bardhët e “fabrikave”- është një shqipërim jo shumë i saktë imi).

Pse emigrantët (mes tyre dhe shqiparët) zgjodhën të mbështesnin “The Donald” më 2016, ndërmjet kandidatëve të tjerë republikanë si Kosiç, Kruz apo Rubio?

Për mendimin tim dy ishin arsyet kryesore: E para Trump ishte një miliarder jashtë politikës tradicionale dhe mund të besoje lehtë se do bënte diçka ndryshe. E dyta se emigrantët e ndjekin pak politikën dhe as kishin idenë se kush ishte dhe ç’program kishte guvernatori i Ohios Kosich, senatori i Teksasit Kruz, apo senatori i Floridas Marko Rubio. Trump ishte një emër i njohur në sajë të programit “Apprentice”, që ishte një program televiziv shumë i ndjekur në Amerikë. Gjatë debateve, që mbase jo të gjithë I ndjekin, gjithashtu Trump kishte një mënyrë arrogante dhe me batuta e ngjashme me atë të politikanëve të Europës Lindore dhe sidomos atyre shqiptarë. Ishte e lehtë për një punëtor fabrike apo edhe për një pronar picerie, që punon 12 orë në ditë, të theshte që “Trump është kandidati im”.

Padyshim edhe gjatë debateve me Hillërin (të dy antipatikë), shqiptarët që vuajnë jo pak nga misogjenizmi do anonin nga “The Donald”. Ju bënë pak përshtypje gënjeshtrat e tij, sjellja fodulle, fjalori shumë I varfër dhe mosnjohja e problemeve. Në fund të fundit a nuk gënjejnë të gjithë politikanët tanë, si Saliu dhe Edi? Paralelizmi ndërmjet politikës amerikane dhe asaj shqiptare, që vjen nga mosnjohja, bënë që “antikat” e Trump të mos dukeshin qesharake, apo rropulli përzjerëse. Ndoshta edhe thellë mendjes së tyre ishte ndienja, që “ ky i pasur i bardhë do bëjë për ne dhe do ju tregojë vendin meksikanëve, zezakëve dhe homoseksualëve”. Nëse do donin të mësonin se si do përmirësohej ekonomia e familjes së tyre, do shihnin se diferenca do ishte rreth 2% në favor të programit të Trump, për shtresën e varfër dhe të mesme.

Ndaj gjatë 4 vjetëve të presidencës së tij, shqiptaro-amerikanët(jo të gjithë) ju gëzoheshin mundësive për dy-tre punë, rritjes së bursave dhe retorikës së Presidentit. Për shumicën e tyre, ky besim nuk u lëkund as nga Epidemia dhe reagimi shumë i dobët i administratës amerikane , që solli mijra vdekje të panevojshme. Për më tepër, shumë shqiptarë në Amerikë mbështesnin idetë “idiote”, që ky virus është si gripi, vaksinat janë kot dhe plot teori të tjera konspirative.

Por jo të gjithë amerikanët kanë mendtë e shumicës të komunitetit tonë dhe Trump, për shkak të mospërballimit të Epidemisë humbi. Gjatë ditëve të numurimit të votave, jo pak shqiptarë vazhdonin të theshin marrëzitë se “po vidhen me kamiona votat në Detroit dhe Filadelfia”, “Trump do e fitojë në Gjykatën e Lartë“, e plot dërdëllisje të tjera që dilnin në mediat sociale. Por ka një fund edhe çdo marrëzi! Sidomos kur bëhet fjalë për vendin me institucione më të stabilizuara në botë. Nuk di sa shqiptarë u përfshinë në sulmin ndaj Capitol, por edhe sikur mos ketë patur mes tyre(përveç gangsterit Xhon Alite), një pjesë jo e vogël e përkrahën sulmin. Duke treguar se janë miopë! Duke treguar se janë të panxënë! Duke treguar se një ditë mund të ndjekin Benito dhe Adolfë të tjerë!

Mos ju duket çudi të dashur bashkëatdhetarët e mij me banim në SHBA!

 

No comments:

Post a Comment