Në disa shkrime të këtyre muajve, kam prekur raportet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me politikën e acaruar të SHBA-së. Më është dukur, se pjesa më e madhe e bashkësisë ka qënë mbështetëse e “The Donald”. Jam munduar edhe të kuptoj përse ndodh kjo dukuri.
Mes arsyeve, të cilat i kam lënë jashtë nga nxitimi, ka qënë
edhe megalomania e emigrantëve shqiptarë të brezit tim. Eshtë e vërtetë, që kjo
marrëzi, na u krijua në vitet, kur u edukuam nën udhëheqjen e Partisë dhe të
shokut Enver dhe për ne Shqipëria ishte qëndra e botës edhe pse mund të mos
besonim se ishte fanar ndriçues. U krijua një lloj “deliri kolektiv madhështie”,
që ne shqiptarët jemi me të vërtetë të veçantë.
Të njëjtën ndjenjë nxit edhe ndjenja e nacionalizmit apo dhe
ajo e racizmit të fshehur. Shumë emigrantë, jo vetëm kur erdhën, por edhe pasi
kanë kaluar dhjetvjeçarë në Amerikë, flasin përsëri me termat “ u bënë këta by…zinjtë
të mbarojnë universitete”, apo “na i zënë vendet e punës çinmaçinçt” e plot e
plot të tjera të drejtuar ndaj përfaqësuesve të etnive të tjera, që janë më të
suksesshëm se ne. Përçmim dhe dyshime shprehen ndaj çifutëve dhe vetëm të bardhët
e pasur ju ngjallin respekt. Tipike e megalomanisë sonë ishte siguria me të cilën
një shofer lab autobuzi në Buffalo, më spjegonte për luftn në Irak. “6 miliard
dollarë nxorrën nga ajo luftë Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfelldi. Nga dy për kokë
ndanë!” më theshte në dialektin “kompetent” të Labërisë dhe mohonte i sigurt
kur unë e pyesja:” Po ndonjë tjetër nuk kishin në tavë?”
Ndaj edhe nëse kanë qënë komunistë apo “komsomolas”, ose
edhe nëse kanë qënë antikomunistë në rininë e tyre, shumë e shumë emigrantë
shqiptarë jo vetëm u “mrekulluan” nga Trump, por edhe janë të shqetësuar se
largimi i tij është një dëm i madh për demokracinë amerikane.
Rrjetet sociale janë të mbushura me thirrje histerike të
bashkëatdhetarëve tanë se “i biri i Biden është pedofil”, “Sorros është
komunist”, “Klintonët i përkasin një rrethi satanik” dhe të tjera marrëzi të
tilla, me të cilat (për të mos i bërë plotësisht përgjegjës) është i mbushur
Interneti.
Po pse të të besojmë ty që jeton në Kanada dhe jo bashkëatdhetarët
tanë në Amerikë?-mund të pyesni me të drejtë, ju, lexonjësit e mij të dashur.
Dhe kini të drejtë, se edhe unë vij nga i njëjti vend, kam mësuar
në të njëjtat shkolla, programet e të cilave i përshkonte si një fill i kuq
teoria marksiste-leniniste.
Eshtë një nga ato pyetje, të cilat Lenini “i juaj i madh”, I
quante pyetje “asgjesuese”. E kam të vështirë të gjej një përgjigje, ku të mos
ndjehet “deliri i madhështisë“, pluhuri i të cilës mund të ketë mbetur edhe tek
unë pasi jetova 38 vjet në atdhe , dhe nga këto 32 nën Diktaturë.
Përgjigja më e saktë në këtë rast është “Mos më besoni as
mua!” Mos besoni në asgjë , që ju thonë, pa e kaluar në shumë filtra, që nisin
me pyetjet logjike, që mund t’i bëni vetë apo familjarët tuaj; vazhdojnë me
verifikimin në burime të tjera; mbyllen me diçka që ju kanë mësuar apo jo më të
rriturit “vereni veten në vendin e atyre,që i tregojnë, të atyre për të cilët
tregohen dhe mundohuni të kuptoni më shumë.” Do shikoni se shumë gjëra që ju
duken shumë të sigurta se I ka thënë Trump, Fox, CNN apo Alfred Cako nuk mbajnë
pikën e ujit.
Më pas bëni edhe një dush për tu shpëlarë plotësisht nga
deliri, se po shpëtoni Demokracinë amerikane të rrezikuar nga komunistët Obama
dhe kompani. Nëse dhe kjo nuk ju ndihmon, blini një shtëpi në Nju Jork nëpërmjet
agjentes Evi Kokalari. Ju ndihmon edhe për kredinë.
No comments:
Post a Comment