Gjatë dimrit dhe pranverës 1991, nga mungesa e punës, nga ankthi i të ardhmes, por edhe nga një kureshtje për diçka të paprovuar më parë, shihnim me orë të tëra, seancat e Parlamentit Shqiptar, që në atë kohë ndoshta quhej ende Kuvendi Popullor.
Gazetat opozitare të kohës kishin shkrime therrëse, që përshkruanin
mirë “injorancën” dhe “fanatizmin” e “agrarëve”, që përbënin shumicën e grupit
parlamentar të PS-së. Pas orëve të gjata të ndjekjes së debateve, merresha me
ndonjë karikaturë, të cilat as i dërgova ndonjëherë për tu botuar dhe tashmë
kanë humbur. Në një dosje, ka mbetur e mësipërmja, që duhet të jetë bërë në ditët
e para të paszgjedhjeve të vitit 1991, kur PD-ja pat marë shumicën në Kuvend. Një
pjesë të deputeteve socialistë I dallova, por shumicën e kisha harruar dhe ende
nuk di se cilët kanë qënë. Nanoja, Dokleja dhe një Flamur nga Gjirokastra janë
në karakter dhe vetë arrij të shquaj Ismail Lleshin, Gramoz Ruëin dhe të
famshmin Bardhyl Hasko, deputet i Fierit. Po më i rëndësishëm ka qënë dhe
mbetet flamuri i “Enverizmit”, që vazhdon të valëvitet edhe sot nga PS-ja.
Dikush nga padija dhe dikush qëllimisht konfondojnë “enverizmin”
me “komunizmin”.
Enverizmi nuk ka qënë asnjëherë degë apo derivat i komunizmit.
Ishte një diktaturë feudo-leniniste,
në të cilën thuajse mungonte çdo gjë, që ishte në themel të marksizmit.
Leninizmi kishte hequr më parë thelbin e marksizmit dhe marksizëm-leninizmi, që
nuk ishte gjë tjetër veç “stalinizëm”, ishte një sajesë e çinovnikëve rusë, që
gërmonin nga një botim i Marksit dhe Engelsit tek tjetri, hiqnin pjesët që nuk
nuk I shkonin për shtat Stalinit dhe krijuan “teorinë“ krejt të shtrëmbëruar
nga doktrina origjinale.
Nuk dua të them se marksizmi
ishte një teori e drejtë, e menduar mirë apo shkencore, si pretendohej, por nëse
autorët do kishin qënë gjallë dhe do shihnin se ç’monstër krijuan rusët, do ja
kishin hequr vetes.
“Clirimtarëve” shqiptarë ju mungonte plotësisht përgatitja
filozofike. Të vetmit komunistë të shkolluar në Bashkimin Sovjetik ishin Zai
Fundo, Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani dhe Koço Tashko. Edhe këta vetë
kishin studiuar “marksizëm-leninizëm” dhe ose ishin zhgënjyer tërësisht edhe
nga teoria, por sidomos nga praktika e BS-së, dhe ose u “asgjesuan” (Zai Fundo
u vra në fund të luftës dhe Tajar Zavalani nuk u lejua të kthehej në atdhe),
ose ishin për një lloj komunizmi me fytyrë më njerëzore dhe përfunduan në burg,
si Malëshova dhe Tashkoja.
Enveri, Mehmeti, Hysniu, KoçI, Bedri Spahiu, Gogo Nushi e të
tjerë, ishin “pyka” në fushën e filozofisë dhe edhe në atë të teorisë marksiste
leniniste. Mund të thuhet pa frikë se ishin komunistë, që nuk dinin nga binte
komunizmi! Pas lufte u dërguan shumë “komunistë“ të studionin m-l në Bashkimin
Sovjetik dhe prej atje u kthye armata e “papagajve” sovjetikë, duke filluar me
Liri Belishovën, Ramiz Alinë, Piro Kondin, Foto Camin, Dashnor Mamaqin, Sofokli
Lazrin, Arben Puton, Gafur Cuçin, Servet
Pëllumbin dhe plot të tjerë, që do ishin “teoricienët” e ardhshëm të “Vijës së
Partisë“. Duhet thënë, që edhe kjo “aradhë“ teoricienësh nuk kishte në dorë të
formulonte vijën e Partisë, sepse ajo gatuhej nga vetë Diktatori me një rreth të
ngushtë bashkëpuntorësh, në varësi të situatave gjeo-politike.
Për të qëndruar në pushtet, Enver Hoxha, i cili kishte një
nuhatje shumë të fortë për luftë brrylash, intriga, krijim tarafesh, goditje
pas shpine etj., mund të zgjidhte çdo lloj forme të Diktaturës. Ata që kishte përrreth,
ishin një pjesë të paaftë, një pjesë të përlyer, një pjesë frikacakë, sa edhe
pse dinin për prapaskenat e tij, për moskoherencë në vijë, për praktika
gjakatare etj. viheshin në shërbim të tij dhe ishin gjithë kohën “lodra” të
Diktatorit. “Lodra” ata nuk u bënë që në vitin 1945, por duke dashur të “hanë
kokën e njëri tjetrit”, i shërbyen Hoxhës me material komprometuese, të cilat
ai do ja u mbante gjithnjë si kërcënim për t’i shpënë para togës së pushkatimit
në rast se do “ngriheshin”.
Ndaj “feudo-leninizmi” shqiptar, ose “enverizmi”, mori forma
të ndryshme gjatë kohës së Diktaturës së Proletariatit (nuk ishte as e
Proletariatit). Në vitet e para ndoqi modelin jugosllav të Rankoviçit, më pas
nuk u kthye në “titizëm”, pikërisht se Koçi Xoxe e të tjerë i rrezikonin
pushtetin Enverit, nga një “stalinizëm” i fillimit të viteve ’50 kaloi në “komunizëm
liberal” përderisa duke mos patur garanci nga Hrushovi se do e linte në
pushtet, Hoxha u hodh në krahët e Kinës dhe përshtati modelin “feudo-stalinist”
të Maos. Ndjej siguri të them se nëse Perëndimi do i kishte dhënë garanci në
vitin 1961 se do qëndronte në pushtet po qe se kthente timonin djathtas si një
Diktaturë kolonelësh ai do e kishte bërë. Do gjente një nacionalizëm fanatik të
përzjerë me elementë “shpirtmadhësie” të faljes të kundërshtarëve të djathtë
duke hedhur fajin tek Shehu e kompani. Nuk kishte as më të voglin parim
ideologjik. Përrallat “ edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shesim”, vlenin
për masën e madhe dhe të verbër shqiptare, që ishte shumë pak e informuar se ç’ndodhte
në botë, për të mos thënë që shumica ishin plotësisht të paditur.
(vijon)
No comments:
Post a Comment