"Rrënjët" e mija janë më shumë në Stamboll se sa në Korçë. Atje janë eshtrat e stërgjyshit tim Andon Mara dhe të stërgjyshes Dafina Mara. Diku, në një varrezë të krishterësh, pranë të tjerë oparakësh, përmetarësh, grekësh. Megjithë orientimin shumë antikristian të qeverive turke të shekullit të kaluar, besoj se varreza nuk duhet të jetë prishur gjatë zgjerimit galopant të Qytetit. Atje punoi gjyshi im, Naum Andon Mara, që kur ishte 9 vjeç e deri sa u kthye 68 vjeçar në Korçë. Në Stamboll u lind babai im, Andon Mara dhe edhe pse 15 vjeçar u kthye përfundimisht në Shqipëri, për të “qyteti mbi shtatë kodra” mbeti i shënjtë, i shumëdashur, i ëndërruar. Qyteti më i bukur në botë.
I mrekulluar nga rrëfimet plot ngjyrë të tim eti, kur
vizitova Stambollin për herën e parë(dhe të vetme) më 1995, edhe pse me
kureshtje për të parë sa më shumë, nuk u habita por edhe nuk u zhgënjeva
plotësisht. Duke e krahasuar me metropole të tjera, të cilat i kisha vizituar,
mu duk më i varfër, me më pak shkëlqim, me një arkitekturë jo shumë të
zhvilluar dhe me njerëz të qetë, por jo “të sofistikuar”. Kur ja u shpreha këtë
të afërmve të mij, të cilët jetonin ende atje, dhe duke ju përmendur ato ç’ka më
kishte treguar babaj, ata më thanë
“Andoni mbante mend Stambollin e tij, që ishte 1 milion dhe nga këta vetëm
gjysmët ishin turq. Tani është 13 milion me të ardhur nga Anadolli dhe ata, me
etni joturke janë më pak se 200 mijë.”
Po cili ishte “Stambolli i babait tim”?
Ishte qyteti më i madh dhe më modern i Republikës Turke të
Ataturkut, që sa ishte formuar në vitin 1923, kur Andon Mara ishte vetëm 1 vjeçar.
Nga disa kërkime të shpejta në internet, kalimthi gjen disa ngjarje kuptimplote
për vendin që kishte qyteti në botën europiane. Më 1930 grave turke ju dha e
drejta të votonin, kur në Francë kjo e drejtë u njoh vetëm më 1944, në Greqi më
1952 dhe në Zvicër më 1959. Më 1936 në Stamboll mbahej Kongresi Ndërkombëtar i
Grave. Prej vitit 1927, arsimi po modernizohej nën drejtimin e amerikanit John
Dewey. Më 1937 vihej në skenë opera e parë turke. Më 1935, në parlamentin turk
5% ishin gra, ndërsa në Angli dhe në Amerikë vetëm 1% e parlamentarëve ishin të
“seksit delikat”.
Para se të nxirrja këto fakte rreth Turqisë dhe Stambollit të
viteve ’30, pata gjetur rastësisht në google, duke kërkuar për babanë, një
fotokopje të një reviste turke për fëmijë, të quajtur “Coçuk masallar” (Përralla
për fëmijët). Ishte e 23 shtatorit të vitit 1932. Një njoftim i thjeshtë, ku
përmendeshin emrat e fëmijëve, që kishin zgjidhur një “puzzle”të botuar në
numurat e mëparshëm dhe kishin dërguar
përgjigjet në redaksi. Mes shumë emra turqish ishte edhe një armen dhe emri i
babajt bashkë me adresën e apartamentit në Tophane. Ishte 10 vjeç atë vit.
Duhet të ishte ende në shkollën fillore greke, por edhe atje, një pjesë e
mësimeve bëheshin turqisht.
E përmenda këtë fakt(të rëndësishëm për mua dhe familjen
time), për të theksuar se Stambolli i atëhershëm ishte vërtet një qytet i
zhvilluar europian, që nuk mbetej pas kryeqyteteve më të përparuara. Pjesë e
jetës së përditshme ishe abonimi i një familje të mesme, në disa periodikë,
midis të cilëve edhe një për fëmijë. Babai e vazhdoi gjithë jetën atë traditë
të familjes të krijuar në Stamboll dhe në shtëpi jo vetëm nuk munguan kurrë
revistat kryesore të kohës, por ruheshin si “koleksione” me fanatizëm.
A ndryshoi më vonë për mirë apo për keq Stambolli?
Përgjigjen e kësaj pyetje nuk mund ta jap, se nuk e kam
gjetur as tek libri i nobelistit Orhan Pamuk për qytetin e tij të lindjes. Në
një udhëtim të fundit të para dy viteve në Europë, pata qëndruar disa orë për
të këmbyer avionin në aeroportin e qytetit të “rrënjëve” të mija dhe pata
mbetur shumë i zhgënjyer, duke e krahasuar me “jetën” e aeroporteve të tjera
europiane.
Babai nuk mundi kurrë të kthehej në qytetin e tij të
adhuruar. Ndoshta më mirë!
No comments:
Post a Comment